AAK-ja e zhgënjyer me zvarritjen e procesit të Haradinajt

Prishtinë | 26 Jan 2017 | 13:39 | Nga

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e zhgënjyer me zvarritjen e procesit ndaj liderit të saj Ramush Haradinajt.

Përmes një njoftimi për media AAK-ja ka reaguar duke thënë se kanë kaluar 20 ditë që nga ndalimi i tij dhe ende nuk ka një përgjigje definitive për lënien e tij të lirë.

“Njëkohësisht jemi të dëshpëruar me komoditetin e autoriteteve franceze të gjyqësisë, të cilat po lejojnë që Serbia të luajë me parimin e juridiksionit universal dhe t’i zvarrisë sa më shumë të jetë e mundur procedurat kundër Haradinajt, e të cilat në fakt nuk janë asgjë tjetër përpos lojës politike me Haradinajn dhe me Kosovën”, thuhet në reagimin e AAK-së.

“Prandaj apelojmë tek autoritetet franceze të drejtësisë, që në emër të drejtësisë, të stabilitetit dhe të ndershmërisë ndaj një politikani që i ka kryer të gjitha obligimet ndaj drejtësisë ndërkombëtare, sa më parë të vendosin në favor të kësaj të drejte të patjetërsueshme dhe ta lënë të lirë Ramush Haradinajn, që të merret me veprimtarinë e tij politike, aq të domosdoshme për Kosovën”, thuhet më tej në reagim.

AAK-ja konsideron se “vonimi i tij në Francë, është vonim i Kosovës dhe askush nuk ka të drejtë që në emër të interesave e kalkulimeve politike ta ndal një vend dhe një popull, qoftë edhe për një kohë sado të shkurtër”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme