AAK-ja i uron suksese Xhafer Gashit, thotë se do të vazhdojnë angazhimin për komunën e Obiliqit

Prishtinë | 23 Mar 2021 | 21:51 | Nga Ekonomia Online

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një komunikate për medie i ka uruar suksese Xhafer Gashit, kryetarit të Obiliqit nga kjo parti i cili dha dorëheqje nga të gjitha funksionet në AAK.

AAK-ja përmes një komunikate për medie, ka falënderuar të gjithë qytetarët e Obiliqit duke numëruar disa nga të arriturat në këtë komunë sa ishte në qeverisjen e tyre.

Përmes të njëjtit njoftim AAK, i ka uruar sukses Xhafer Gashit në karrierën politike.

“Kolegëve, të cilët janë larguar nga Aleanca, ju urojmë sukses në të ardhmen e tyre politike. Aleanca, si në të kaluarën ashtu edhe tani, do të vazhdojë të jetë aty për qytetarët e Obiliqit e në zgjedhjet e radhës do të paraqitet me alternativën më të mirë qeverisëse për këtë komunë. Kemi punuar për Obiliqin, do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, andaj faqebardhë do të kërkojmë sërish besimin e tyre”, thuhet në komunikatë.

Reagimi i plotë:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët e Obiliqit për përkrahjen e tyre të vazhdueshme në zgjedhje, si në ato lokale ashtu edhe në ato nacionale.

Aleanca marrë parasysh specifikat e komunës së Obiliqit dhe rëndësinë që paraqet për Republikën e Kosovës, i ka kushtuar një vëmendje shumë të madhe dhe ka përkrahur vazhdimisht këtë komunë.

Gjatë qeverisjes së liderit tonë Ramush Haradinaj, Obiliqin e kemi bërë me ligj të posaçëm, pasi që qytetarët e tij e meritonin një trajtim të veçantë. Ligji për Obiliqin hapi mundësi të shumta për realizimin e shumë projekteve shumë të rëndësishme për qytetarët.

Gjatë qeverisjes komunale të Aleancës në Obiliq, janë realizuar shumë projekte për të lehtësuar jetën e qytetarëve, nga të cilat veçojmë: Ura në fshatin Plemetin, Qendrën e Mjekësisë Familjare në Milloshevë, Ambulancën në Breznicë, Shtëpinë e të Moshuarve, shkolla në fshatërat Hade e Re, Lajthishtë dhe Raskovë, anekse shkollore në fshatërat Breznicë, Mazgit i Ulët dhe Mazgit i Epërm. salla sportive për Gjimnazin “17 Shkurti”, SHMLP “Ismail Dumoshi” dhe SHFMU “Hasan Prishtina”, Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”, hapësira të reja gjelbëruese si në Obiliq ashtu edhe nëpër fshatra , e shumë projekte të tjera.

Qeverisja e Aleancës në Obiliq, ofroi transparencë dhe shërbeu pa dallim për të gjithë qytetarët. Objekti i ri i komunës, zyrës së gjendjes civile dhe arkivit, u ndërtuan që ata të marrin shërbime sa më efikase komunale.

Me të drejtë thuhet se Obiliqi është qyteti i dritave, pasi që tani ka mbi 6000 poça ndriçues që ofrojnë siguri në qytet e fshatëra. Kamerat e sigurisë janë vendosur nëpër lagje të qytetit e po vazhdon shtrirja e tyre edhe nëpër fshatëra.

Në funksion të menaxhimit të gjendjes pandemike, objekti ndihmës i QKMF, u shndërrua në ambulantë anti-covid.

Kemi bërë renovimin e banesave sociale dhe dhënien e tyre për banim veteranëve të UÇK-së dhe familjeve me asistencë sociale, e në bashkëpunim me donatorët kemi ndërtuar edhe shtëpi për familjet në nevojë.

Aleanca e ka shndërruar Obiliqin në komunë kampione sa i përket fushës së subvencionimit në arsim, kulturë, rini, sport, shëndetësi dhe bujqësi. Janë ndarë mbi 1000 bursave e kartela për kompenzimin e shpenzimeve të udhëtimit për nxënësit dhe studentët, e po ashtu Obiliqi është komuna e parë e cila përkrah studimet post-diplomike.

Janë përkrahur klubet sportive dhe ato kulturore, rastet me gjendje të rëndë shëndetësore, ndihma ndaj grave lehona me nga 150€, ndërsa që nga viti 2014 komuna ndan mjete edhe për ceremonitë mortore. Aleanca, gjatë qeverisjes së saj në Obiliq ka realituar edhe grant-skemën për subvencionimin e “Nënave vetushqyese dhe grave në biznes”, me vlerë prej 50 mijë €, duke qenë komuna e parë që realizon një skemë të tillë, e gjithashtu ndihmat për qytetarët e prekur me Covid-19 me nga 100€, ndërsa për qytetarët që kanë vdekur nga ky virus, familjarët e tyre subvencionohen me nga 300€, kjo do të realizohet deri në përmbyllje të kësaj pandemie.

Subvencione milionëshe janë realizuar në fushën e bujqësisë, në ndihmë të bujqve dhe fermerëve të komunës së Obiliqit.

Përpos ndërtimit të shumë fushave të hapura sportive, është funksionalizuar edhe Palestra Sportive “Adem Jashari”. Kemi bërë restaurimin e mullinjeve të “Behramajve” dhe “Hysenajve” në fshatin Graboc, në funksion të rritjes së turizmit.

Kemi realizuar pastrimin dhe zgjerimin e shtratit të lumenjëve dhe përockave, duke ndikuar që gjatë periudhës së vërshimeve të mos shkaktohen dëme infrastrukturore apo dëme në ekonomitë familjare.

Janë edhe shumë projekte të nisura, që shpejt do e shohin dritën, ku vlen të ceket Biblioteka e Qytetit, sheshet “Dëshmoret e Kombit” dhe “Adem Preniqi”, që Obiliqit do i ndryshojnë pamjen, Objekti i Ngrohjes Qendrore, parku i bizneseve në Llazarevë e të tjera.

Kolegëve, të cilët janë larguar nga Aleanca, ju urojmë sukses në të ardhmen e tyre politike.

Aleanca, si në të kaluarën ashtu edhe tani, do të vazhdojë të jetë aty për qytetarët e Obiliqit e në zgjedhjet e radhës do të paraqitet me alternativën më të mirë qeverisëse për këtë komunë.

Kemi punuar për Obiliqin, do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, andaj faqebardhë do të kërkojmë sërish besimin e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme