AAK-ja ka dy propozime për zgjidhjen e krizës ekonomike dhe asaj me veteranët

Prishtinë | 17 Qer 2022 | 15:29 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të gjejë zgjidhje sa i përket veteranëve të Luftës së UÇK-së, raporton Ekonomia Online.

Në konferencë për media, Tahiri ka thënë se medoemos nevojitet një zgjidhje për situatën në vend.

“Ne kërkojmë nga Qeveria që të mos prodhojë kriza, por të ofrojë zgjidhje. Vazhdimi i debatit përmbajtjesor me shoqatat e veteranëve është i rëndësishëm për të krijuar zgjidhje dhe për të zhbllokuar Kuvendin”, tha ai.

Tahiri ka thënë se AAK-ja është e gatshme të debatojë për dy amandamente që ka propozuar për zgjidhjen e kësaj situate. Njëri për zbritjen e çmimeve dhe tjetri për pensionin e veteranëve.

“3 muaj më parë kemi rekomanduar zgjidhjet për Ligjin për Paga për sektorin publik në raport me masat për zbritjen e çmimeve enorme të produkteve bazë, me heqjen e akcizës për pesë muaj”.

“AAK ka deponuar përmes Bekë Berishës një amandament që kërkon që deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve të UÇK-së pensioni i veteranit të jetë i barasvlershëm me pagën minimale. Ne po e sfidojmë nenin dhe po ofrojmë zgjidhje”, tha Tahiri.

Përndryshe, me moszgjidhje të gjendjes dhe pakënaqësinë e veteranëve, Tahiri shtoi se do të ketë bllokim të Kuvendit. Dhe zhbllokimi, shtoi ai, fillon me trajtimin e dy amandamenteve të propozuara nga AAK-ja.

“Nuk i duhet Kosovës krizë, i duhet zgjidhje, kjo qeveri shumë e ngadalshme që në secilën situatë ka propozuar krizë, duhet të kthehet dhe të merr vendime. Në mungesë të vendimmarrjes kemi status-quo”, përfundoi Tahiri.

Të ngjashme