AAK-ja mbyll fushatën në Pejë, Haradinaj thotë se do ta shumëfishojë buxhetin

Pejë | 20 Tet 2017 | 20:49 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

AAK-ja mbyll fushatën në Pejë, Haradinaj thotë se do ta shumëfishojnë buxhetin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar se gjatë mandatit të tij do ta rrisë buxhetin e shtetit e sidomos do ta rrisë “për shumë herë” buxhetin për rajonin e Dukagjinit.

Kryeministri dhe lideri i AAK-së i bëri komentet në përmbyllje të fushatës zgjedhore në qytetin e Pejës.

Ai tha se kësaj treve i janë bërë shumë të padrejta. “Por ka ardhur koha që ne me i krye vetë punët tona… Me nga 10 kilometra në vit si e kanë bërë rrugën Prishtinë-Pejë, i bike që edhe dhjetë vjet mos me përfundu. Vitin që vjen, me emër të Zotit, në dimër e kemi të kryer”.

“Peja ma ka dhënë fitoren kur kam qenë në qeli në Hagë. Më ka ba nderë e këto kurrë nuk jua harroj. Ka ardhur koha ne me i krye punët tona vetë… Do ta rris buxhetin për krejt Kosovën, po shumë herë do ta rris për Dukagjinin”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj foli dhe për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duke përsëritur se kufiri do të mbetet në Çakorr.

“Kanë kujtuar që Rugova është një tokë e pa zot, ia kanë marrin popullit dhe e kanë bërë park kombëtar… Aty ku kanë jetuar njerëzit tanë në Rugovë, nëpër vendbanimet e tyre s’ka më park kombëtar, është vend i njerëzve, aty do të jetojnë njerëzit. Kufiri nuk bie në Kuçishtë, por në Çakorr ka qenë dhe ka me mbetë. Kush dyshon në këtë, do të bindet shumë shpejt”, deklaroi Haradinaj.

Duke iu drejtuar mijëra përkrahësve të mbledhur në palestrën e sporteve “Karagaç”, Haradinaj tha se në Pejë ndryshimi do të vijë pas 22 tetorit.

Në vazhdim, ai iu është përgjigjur kritikave për vonesën e liberalizimit të vizave.

“Do që nuk po dinë ku me u kap, po thonë po na izolon Ramushi, se nuk po shkon në do dasma që po organizohen te fqinjët, mirëpo nuk jam ministër i Turizmit unë, jam kryeministër i shtetit sovran, dhe shkoj vetëm ku është interesi i Kosovës. Unë nuk shkoi në këto dasma për me marr një mëditje dhe me dal në fotografi, fotografia ime jeni ju, është populli im”, u shpreh Haradinaj, duke aluduar qartë në samitin e kryeministrave të rajonit që u mbajt më herët gjatë kësaj jave në Shkup.

“Kjo Qeveri ka me i krye krejt punët e këtij vendi. Së shpejti kemi me pritë delegacione në Prishtinë që nuk kanë ardhur qe 15 vjet. Është hera e parë që po vijnë në Kosovë dhe do ta shihni vetë”.

Kandidati për kryetar të Pejës nga radhët e AAK-së, Fatmir Gashi, tha se nga 22 tetori, qytetarët e Pejës presin që të fillojë projekti për punësimin e 5 mijë qytetarëve.

“Buxheti i Komunës ka para, vetëm duhet ditur me i përdorë. Nuk do t’i lëmë 23 milionë euro në vit, që janë parat e qytetarëve, të luajnë ata që i keqpërdorin”.

Gashi u zotua se në mandatin katërvjeçar, infrastruktura do të jetë e barazuar si në qytet, si në fshat, si në Rugovë.

Ai tha se me Ramush Haradinajn kryeministër, Peja po kthehet në hartën e Qeverisë.

Të ngjashme