AAK-ja premton opozitë “alla” Vetëvendosje

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 08:45 | Nga Ekonomia Online

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund t’ia kthejë me të njëjtën monedhë bërjen e opozitës partisë së tanishme qeveritare, Lëvizjes Vetëvendosje. Për veprimet që nuk janë në interes të vendit AAK-ja thotë se do të ketë zero tolerancë. Në rrugën e saj si parti opozitare partia e Ramush Haradinajt premton konstruktivitet të plotë, shkruan sot gazeta Zëri.

Partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK-ja, po premton se do të jetë konstruktive në të bërit opozitarizëm. Ndaj kryeministrit aktual AAK-ja thekson se do ta ketë qasjen e njëjtë sikurse ai e pati dikur me ta sa ishte në opozitë. Veprimet e mira të qeverisë së tanishme për AAK-në do të jenë të mirëpritura, por ato që nuk janë në interes të vendit do të jenë krejtësisht të patolerueshme. Me 13 deputetët që i ka në Kuvend partia e Haradinajt synon ta kontrollojë çdo veprim të ekzekutivit të ri. Për ta, që tani, programi qeverisës i Kurtit është i parealizueshëm. Mirëpo për konstruktivitetin e opozitës analistët kanë dyshime. Paraqitja e AAK-së, por edhe e subjekteve të tjera opozitare ditën e zgjedhjes së Qeverisë, ishte e dobët dhe joargumentuese. Kështu pohojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët theksojnë se përveç mllefit të pakontrolluar, opozitarët e rinj nuk kanë dhënë sinjale për një opozitë, e cila do të jetë racionale e argumentuese në vijim.

Të ngjashme