AAK-ja pretendon se Vetëvendosje ka shkelur Kushtetutën gjatë votimit të qeverisë

Prishtinë | 03 Shk 2020 | 20:28 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj në një konferencë për media ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur Kushtetutën gjatë ditës së sotshme, raporton Ekonomia Online.

Demaliaj tha se Konjufca e ka votuar vetën ministër duke qenë kryetar i parlamentit

“Neni 67 i Kushtetutës, Amendamenti 7, paragrafi 3, i jep të drejtë kryetarit të Kuvendit që të nënshkruajë aktet e miratuara nga Kuvendi. Në rastin tonë, kryetari i Kuvendit, gjatë miratimit të Qeverisë, ka votuar për miratimin e Qeverisë dhe e ka votuar veten si ministër, gjë që përbën konfuzion të madh lidhur me atë se kush duhet ta nënshkruajë aktin e miratimit të Qeverisë, që është detyrë ekskluzive kryesisht e Kryetarit të Kuvendit. Deputetja Teuta Haxhiu, gjatë debatit që u bë për qeverinë, e ka pyetur kryetarin se a ka dhënë dorëheqje nga posti, dhe përgjigja ka qenë jo. Pra, kjo dihet nga të gjithë sepse ka qenë publike. Pra, konfuzioni është se kush duhet ta nënshkruajë vendimin e miratimit të qeverisë nga Kuvendi. Ende s’e kemi marrë me shkrim, por thanë që e ka nënshkruar nënkryetarja e Kuvendit. Por, në rastin tonë, nuk ka pas mungesë të kryetarit, nuk ka pas pamundësi, pra ka qenë prezent kryetari. Është një precedan i ri zgjedhja e kryetarit në detyrë ministër, mirëpo në këtë rast është konfuzion i madh kushtetues të cilin ekspertët do ta thonë fjalën e vet për gjithë këtë që ka ndodhur sot. Është një shkelje e madhe në rastin e nënshkrimit të miratimit të qeverisë që duhet ta bëjë Kuvendi”, tha Demaliaj.

“Në anën tjetër, kemi edhe diçka tjetër, kemi marrë rendin e ditës për mbledhjen e jashtëzakonshme të kryesisë së Kuvendit. Pas miratimit të qeverisë, është mbledhur kryesia e Kuvendit. Zyrtarisht është vetëm një pikë e rendit të ditës. Është diskutuar për dorëheqjen e kryetarit Konjufca. Në mbledhje të kryesisë nuk është shqyrtuar as nuk është miratuar dorëheqja e kryetarit Konjufca. Deri në atë moment i kemi dy kryetarë. Ai nuk ka dhënë dorëheqje asnjëherë, është zgjedhur ministër. Këto dy subjekte politike mendojnë se institucionet e Republikës janë pronë private e tyre, e jo në bazë të kalimit zyrtar të kompetencave”, shtoi Demaliaj.

Sipas tij, dy orë pas zgjedhjes së Qeverisë, Konjufca hyn në zyrën e kryetarit të Parlamentit dhe “thyen rregulla tjera prokolare të pranim-dorëzimit postit të kryetarit, nga zoti Konjufca te Vjosa Osmani”.

“Ka shkelje drastike protokolare në këtë rast që na bën të themi se ky është një mashtrim i madh dhe mashtrimi ka filluar qysh në nxjerrjen e akteve të para të këtij institucioni kaq të madh, e lëre më me punën e qeverisë, e dimë se do të jetë mashtrim”, u shpreh deputeti i AAK-së.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se nuk ka pranuar asnjë shkresë për pozicionin e Konjufcës.

“Ne nuk na është ofruar asnjë shkresë se cili ka qenë pozicioni i zotëri Konjufcës.” , u shprehë ajo.

Të ngjashme