AAK-ja shpalos programin qeverisës për Mitrovicën

Mitrovicë | 05 Tet 2017 | 19:12 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Esat Peci, ka shpalosur programin e tij qeverisës, në një tubim ku merrte pjesë dhe lideri Ramush Haradinaj.

Në tubimin e mbajtur në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, Peci është zotuar se do të zgjidhë problemet e trashëguara, ndërsa në administratë lokale do të parandalojë favorizimet dhe emërimet partiake.

“Do të këtë masa të rrepta ndaj atyre që keqpërdorin pozitën. Zhvillimi ekonomik, investimet dhe subvencionet që lidhen me resurset e Minierës së ‘Trepçës’, janë pjesë e programit. Gjithashtu do të investohet në Shalë të Bajgorës dhe në lumin Ibër”, tha Peci.

Ai ka numëruar si prioritete të tij zhvillimin e turizmit rural, duke përmendur me këtë rast fshatrat Selac e Bajgorë; mirëmbajtjen e qendrave historike, me çka sipas tij do të tërhiqen turistët e huaj. Ka thënë se do të evidentohen hapësirat publike, në mënyrë që të mundësohet pastaj dhënia e pronave komunale në shërbim të investitorëve seriozë, si dhe do të evidentohen të gjitha ndërtimet pa leje.

Gjithashtu si pika të rëndësishme të programit, Peci ka përmendur analizimin për zgjerimin e qytetit, mbrojtjen e mjedisit, duke veçuar këtu pastrimin e lumin Lushta etj.

Peci ka premtuar parkingje nëpërmes partneriteti publik-privat për shkarkimin e trafikut, duke përmendur si nevojë imediate një te Tregu i Gjelbër; si dhe mirëmbajtjen dhe ndriçimin e rrugëve të qytetit.

Sa i përket arsimit, ai ka premtuar depolitizimin e tij dhe vendosjen e llogaridhënies. Gjithashtu, paralajmëroi ndarjen e bursave shkollore dhe universitare, kushte bashkëkohore në bibliotekat e qytetit, duke i pajisur ato me kompjuterë e internet.

Për infrastrukturën foli edhe kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, i cili premtoi mbështetje nga Qeveria qendrore. “Infrastruktura dhe pastrimi i lumenjve, janë detyrë edhe e qeverisë nacionale”, u shpreh ai.

Kreu i Qeverisë premtoi mbështetje e subvencione për bujqit e blegtorët, ndërsa u zotua se buxheti i Komunës do të rritet nga viti në vit.

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme