AAK kritikon “komoditetin” e institucioneve në rastin e Haradinajt

Prishtinë | 08 Jan 2017 | 14:37 | Nga

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shpreh zhgënjimin e saj me komoditetin e institucioneve shtetërore të Kosovës, në raport me rastin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet ende në Francë.

“Reagimi përmes deklaratave i Qeverisë së Kosovës, i Presidentit, apo mosgatishmëria e Kuvendit që të mbajë seancë të jashtzakonshme për Rastin Haradinaj dhe të njejtin ta shtyjë për të martën, me arsyetim se nuk po mund t’i mbledhim deputetët, janë qasje joshtetërore dhe si të tilla të papranueshme”, thuhet në një reagim të AAK-së.

Ndalimi i Haradinajt në Francë, për motive politike e jo të drejtësisë, sipas AAK-së, nuk ka të bëjë me individin qoftë ai edhe ish Kryeministri i vendit, por me Kosovën si shtet e si shoqëri.

“Prandaj përfaqësuesit e Shtetit duhet ta kuptojnë se angazhimi për kthimin e Haradinajt në Atdhe, është obligim shtetëror dhe jo çështje e vullnetit”.

Aleanca iu shpreh mirënjohjen mijëra qytetarëve të cilët i janë vënë në krah Ramush Haradinajt. “Por nuk mund të mos e themi se përsonat që drejtojnë Kosovën, nuk janë as në bisht të këtij angazhimi të interesit nacional”.

“Njëkohësisht e kuptojmë revoltën dhe mllefin e mijëra njërëzve karrshi kësaj padrejtësie që po i bëhët Kosovës si shtet, dhe Haradinajt si vlerë e tij, por i lusim qytetarët që të mos e pranojnë logjikën e konfrontimit dhe të përdhosjes së simboleve të shtetëve tjera, sepse kjo nuk është në kulturën tonë”.

“Ta mbështesim Haradinajn me dinjitet, siç është ai vetë”, përfundon reagimi i AAK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme