AAK: Kurti i humbi nga 1600 vota në ditë, e ka humbur kontrollin

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun i AAK-së, Ardian Azemi ka komentuar rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Azemi ka thënë se Kurti brenda 178 ditëve ka humbur hiç më pak se 284 mijë e 998 vota
“Lëvizja Vetëvendosje duke mashtruar popullin se janë ndryshimi, erdhi në pushtet me hiç më pak se 438 mijë e 335 vota, pra mbi 50% të votave të përgjithshme. Nga muaj prill kur nisi punën Qeveria Kurti II, e deri me 17 tetor kur u mbajtën zgjedhjet lokale, të gjitha partitë politike shënuar rritje, ndërsa Vetëvendosje pësoi debakël, humbi hiç më pak se 284 mijë e 998 vota”.
“Matematikisht i bjen se nga zgjedhja e qeverisë e deri ditën e zgjedhjeve lokale, që janë gjithsejtë 178 ditë, LVV ka humbur 1601 vota në ditë”, ka shkruar Azemi.
Ai ka thënë se kjo rënie rekorde nuk ka ndodhur asnjëherë tek asnjë subjekt politik.
“Kjo rënie rekorde nuk ka ndodhur asnjëherë tek asnjë subjekt politik. Qytetarët janë skaneri më i mirë i secilës qeverisje, i secilës mendësi politike. Populli nuk e duron arrogancën, aq më pak mashtrimin. Kemi thënë disa herë që ngritja e VV-së ishte e ngadalshme dhe me mashtrime, ndërsa rënia do të jetë edhe e shpejtë edhe e madhe, kjo ndodhi”, është shprehur Azemi.Sipas Azemit, Qeveria Kurti II në vend se të merrej me sulmet nga ana e Serbisë e Rusisë, ai është marrë me opozitën me qëllim që të shpërqendrojë vëmendjen e qytetarëve nga paaftësia për të qeverisur.

“Nuk është mirë për Republikën tonë të përballet me qeveri të tillë e cila sundon jo me logjikë por me arrogancën e numrave dhe e cila nuk respekton mendimin ndryshe. Në vend të qeverisjes me vendin dhe përballje me sulmet diplomatike të Serbisë e Rusisë, kjo qeveri është marrë me opozitën, me qëllim të shpërqendrimit të vëmendjes së qytetarëve nga mungesa e dijës dhe vullnetit për të krijuar zgjidhje. Kjo nuk kalon më. U pa!”, ka përfunduar Azemi.

Të ngjashme