AAK në Istog pret që LDK-ja t’ia uroj fitoren

Prishtinë | 24 Nën 2017 | 13:21 | Nga

AAK-ja i ka reaguar Isa Mustafës, pasi kreu i LDK-së sot reagoi për votat me kusht dhe postë që i fitoi Gani Dreshaj për Istogun. Sipas AAK-së, LDK nuk reagoi kur në raundin e parë mori vota nga ato me postë dhe me kusht.
Reagimi i plotë i AAK-së:

Për procedurën e njejtë të votimit, kur LDK mori votat me postë në Istog në raundin e parë Isa Mustafa nuk u ankua, kur i humbi të njëjtat vota filloi ankesat!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka përcjell me shqetësim deklaratat e zyrtarëve të LDK-së, pas numrimit të votave me postë në Komunën e Istogut, ku fitues ka dal kandidati ynë z. Gani Dreshaj.

Deklaratat e ngutura dhe të pamatura të zyrtarëve të LDK-së, i konsiderojmë si përpjekje për të hequr vëmendjen para qytetarëve të Istogut dhe Kosovës, humbjen e kandidatit të tyre në këtë komunë. LDK, në raundin e parë të zgjedhjeve nuk kishte asnjë ankesë edhe pse shumica e votave me postë ishin për kandidatin e tyre në garën për Kryetar të Istogut.

I’a rikujtojmë z. Isa Mustafa, se mbështetja me vota arrihet edhe përmes marrëveshjeve politike në mes të subjekteve që përfaqësojnë votues, duke i kujtuar këtu se është e njëjta mbështetje sikur e keni marrë mbështjetjen e AAK-së në garën e balotazhit në zgjedhjet për komunën e Prishtinës.
Tendenca për presion mbi mekanizmat e administrimit të zgjedhjeve është i papranueshëm për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Edhe humbja është pjesë e demokracisë, dhe ne presim që fituesi i këtyre zgjedhjeve në Istog, z. Gani Dreshaj të urohet nga të gjitha palët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme