AAK: Nuk kemi ndërruar qëndrim për Demarkacionin

Prishtinë | 09 Dhj 2016 | 20:59 | Nga

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thotë nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket çështje së Demarkacionit me Malin e Zi. Kjo parti opozitare nuk e voton Demarkacionin në këtë formë siç ofrohet tani.

AAK, nëpërmes, një deklarate për shtyp ka hedhur poshtë raportimet në disa medie online në Kosovë (lajmi u dha fillimisht nga Lajmi.net) se sot gjatë ditës ka pasur një takim ndërmjet kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe kryeministrit Isa Mustafa dhe se është arritur një akord që AAK-ja ta votojë Demarkacionin e më pas Kosovës t’i mundësohet liberalizimi.

“AAK dhe Ramush Haradinaj, nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për Demarkacionin me Malin e zi, dhe nuk janë tërhequr nga asnjë pretendim i tyre se marrëveshja e Demarkacionit është e gabuar dhe ajo duhet të korrigjohet. Njoftimet e disa mediave se ka lëvizje nga ky pozicion, janë të pasakta dhe dezinformata”, thuhet në reagimin e AAK-së.

“Për hirë të informimit të drejt të opinionit publik, ju njoftojmë se AAK vazhdimisht ka qenë e hapur për konsulta rreth Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, dhe për këtë qëllim kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi bashkëpunues dhe të takohemi me të gjitha palët e interesuara për korrigjimin, përkatësisht zgjidhjen e kësaj çështjeje jetike për Kosovën dhe Malin e Zi”.

“Kushdo që është i interesuar të ndihmojë në korrigjimin e marrëveshjes së kufirit, ne do ta takojmë, si dhe do ta mbështesim çdo marrëveshje që për qëllim ka korrigjimin e vijës kufitare duke e rikthyer kufirin në pikat e mëparashëm në Cakorr dhe në Kullë të Zhlepit”.

Informatat tjera janë spekulime dhe të pavërteta të cilat mund të bëhen edhe me qëllim te zhvendosjes se vëmendjes se opinionit publik nga problemet reale me te cilat po përballet Qeveria dhe Presidenti, vlerëson kjo parti opozitare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme