AAK nuk kthehet mbrapa: Ushtria duhet të themelohet

Prishtinë | 08 Mar 2017 | 16:31 | Nga

Iniciativa e Presidentit Thaçi për ta themeluar ushtrinë pa ndryshime kushtetuese nuk po gjen mbështetje nga ndërkombëtarët.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sikurse edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth Projektligjit përmes të cilit synohet që vendi ta bëjë ushtrinë e saj.

Për këtë çështje e ka dhënë qëndrimin e tij edhe Daut Haradinaj, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Haradinaj insiston se krijimi i ushtrisë është e drejtë e pakontestueshme e Kosovës.

“Kjo është edhe pjesë e Planit Ahtisaari dhe duhet të ndodhë. Sigurisht se janë shumë të rëndësishme edhe qëndrimet e partnerëve tanë strategjik, siç janë SHBA dhe Nato, por kam përshtypjen se edhe ata duhet të ushtrojnë një ndikim më të madh që FSK-ja të transformohet sa më shpejt”, tha Haradinaj për Express të mërkurën.

Ai e bëri të qartë se krijimi i ushtrisë ndër të tjera është pjesë e paketës së krijimit të Kosovës së pavarur.

“Unë kam qenë vetë sponsorizues i një nisme për krijimin e ushtrisë vetë, dhe dua ta shoh krijimin e ushtrisë së vendit tim”, shtoi deputeti i AAK-së.

President i vendit Hashim Thaçi, pas reagimeve të ndërkombëtarëve për ushtrinë, ai e bëri të qartë se kthim mbrapa sa i përket kësaj çështjeje nuk ka. Për më tepër, ai sqaroi se bashkëpunim me Serbinë sa i përket ushtrisë,  nuk do të ketë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme