AAK s’i beson sondazhit të Vetëvendosjes, Haradinaj lideri kryesor

Prishtinë | 06 Jan 2019 | 20:23 | Nga Ekonomia Online

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar lidhur me publikimin e një “sondazhi” nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. AAK-ja thotë se ky i ashtuquajtur sondazh nuk përmban asnjë element lidhur me metodologjinë e punës dhe nivelin e mostrave nuk tregon asgjë më shumë sesa shqetësimin dhe krizën e tyre si parti.

“Është shumë e qartë se Kryeministri Ramush Haradinaj me vendimet e guximshme dhe të drejta qe ka mar gjatë këtij mandati, jo vetëm që e ka rritur besimin ndaj tij si lider por e ka perkrahjen me të madhe nga qytetarët, dhe atë më shumë se sa secili Kryeministër i kaluar”, theksohet në komunikatën e AAK-së.

Sipas kësaj partie, “përderisa të tjerët po merrën me sondazhe të porositura, kryeministri dhe kryetari i ynë ia ktheu dinjitetin vendit duke e bërë Kosovën me Ushtri, duke aplikuar taksën ndaj Serbisë dhe tani derisa të tjerët vazhdojnë të merrem me garën për pushtet e flasim për zgjedhje ne po vazhdojmë suksesshëm rrugën tonë drejt zhvillimit të vendit”.

“AAK duke udhëhequr me shtatë komuna asnjëherë nuk ka qenë më e fortë politikisht dhe pa asnjë dyshim është partia politike kryesore në vend ndërsa kryetari ynë është Lideri numër një”, thekson AAK-ja.

Manipulimi sikur AAK ka shënuar rritje në 12.6 përqind është përpjekje për ta eklipsuar rritjen e vazhdueshme të AAK-së e që është shumë më shumë sesa është raportuar, përfundon reagimi i kësaj partie.

Të ngjashme