AAK u bënë thirrje deputetëve: Mjaft me diskriminim, ta votojmë Ligjin për pensionistët kontributdhënës

Prishtinë | 13 Sht 2022 | 12:54 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në konferencën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar mbështetjen e deputetëve të pozitës mbështetjen për plotësim-ndryshimin e ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK, Besnik Tahiri, ka thënë se beson që nga partitë tjerë në Kuvendin e Kosovës do të mbështetet nisma e tyre.

Ai ka deklaruar se në seancën e radhës së Kuvendit njëra nga pikat që do të diskutohen do të jetë edhe kjo nismë e tyre.

“Kërkesë e jona është që të largohet ky kushtëzim jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilët viteve 90-ta ishin larguar dhunshëm dhe jashtëligjshëm nga institucionet shtetërore të pushtetit të atëhershëm. Sa për informatë, kjo nismë legjislative ka kaluar të gjithë hapat e domosdoshëm, madje edhe llogaritjen e kostos buxhetore”.

“Tendenca që në mënyrë të gjithëmbarshme të zgjidhet problemi i pensionisteve kontributdhënës, pasi që në Kosovë janë disa ligje për kategori të caktuara, është ikje nga përgjegjësia. Propozimi ynë nuk interferon me zgjidhjen e nesërme të përgjithshme, por ndihmon. Në këtë krizë të rëndë ekonomike, ky propozim lehtëson gjendjen e tyre ekonomike”.

Deputeti Shemsedin Dreshaj ka thënë se me këtë propozim parashihet të largohet neni diskriminues i këtij ligji, i cili parasheh që çdo person të ketë të paktën 15 vite përvojë pune para vitit 1999 në mënyrë që të përfitojë pensionin kontributdhënës.

Dreshaj ka njoftuar që kjo nismë do të hidhet në votim në seancën plenare të së enjtes, andaj ka kërkuar nga gjithë deputetët ta mbështesin.

“Me propozimin që ne kemi iniciuar, parashihet që pensionet kontributdhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet që kanë punuar para datës 1 janar 1999. Siç e dini, kemi raste kur për një ditë, dikush që nuk ka arritur t’i bëjë 15 vite nuk e gëzon pensionin e merituar”, është shprehur Dreshaj.

“Ne besojmë se kjo iniciativë do të mbështetet edhe nga grupet tjera parlamentare, e sidomos edhe nga partia qe ka shumicën ne këtë Kuvend. Kërkesë e jona është që të largohet ky kushtëzim jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilët viteve 90-ta ishin larguar dhunshëm dhe jashtëligjshëm nga institucionet shtetërore të pushtetit të atëhershëm. Sa për informatë, kjo nismë legjislative ka kaluar të gjithë hapat e domosdoshëm, madje edhe llogaritjen e kostos buxhetore”, ka shtuar Dreshaj.

“Kërkesa jonë si grup parlamentar është që të ndalet ky diskriminim. I kërkojmë mbështetjen gjithë kolegëve deputetë që t’i japin mbështetje këtij ligji”, ka përfunduar Dreshaj.

Të ngjashme