Abazi: Nëse LDK-ja dhe VV-ja bëhen bashkë, partitë tjera do të krijojnë një front kundër tyre

Prishtinë | 17 Gus 2019 | 08:17 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Seanca për shpërndarjen e Kuvendit është thirrur për datën 22 gusht dhe se tashmë është dorëzuar edhe mocioni me 93 nënshkrime të deputetëve. Megjithatë, ende nuk dihet sigurt nëse në këtë datë do të ndodhë edhe shpërndarja e legjislaturës së gjashtë.

Analisti politik, Haki Abazi, thotë për EkonomiaOnline, se tentimi për të krijuar një qeveri teknike, apo zvarritjen e zgjedhjeve të parakohshme, do të ishte në dëm të Kosovës. Madje ai thotë se një qeveri e mundshme nga PAN-i do ta fuste vendin në krizë të thellë.

“Mendoj se çfarëdo lloj zhagitje apo devijim nga shpërndarja e Kuvendit e futë Kosovën në krizë dhe vakuum institucional të rrezikshëm dhe forcat jo progresive, fqinjët që nuk ia duan të mirën stabilitetit dhe zhvillimit në Kosovë mund të shfrytëzojnë që të shtyjnë përpara agjenda të veta.

Është një gërryerje e shtetësisë së vendit dhe Kushtetutës. Mendoj çfarëdo tentimi për të bërë qeveri teknike apo ndonjë lloj marrëveshje të njëjtë Qeveri 2 të PAN-it, do të ishte një devalvim i mëtutjeshëm i vlerave të shtetit të Kosovës dhe krijon hapësirë për forcat destruktive”, thotë ai. 

Abazi ka folur edhe për mundësinë e një koalicioni të mundshëm ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Thotë se nëse këto dy parti bëhen bashkë, të gjitha partitë tjera do të bëjnë një front të përbashkët kundër tyre.

“Është e qartë se LDK dhe VV dhe një pjesë e njerëzve që janë të gërditur nga politika e tanishme, por që ndjejnë përgjegjësi për procesin se ku duhet të shkojë vendi, është shumë e mundur që ky të jetë një koalicion, që do të bëjë frontin koalicionit tjetër të mundshëm të partive që kanë dështuar që 20 vjet ta orientojnë Kosovën drejt zhvillimit apo në mënyrë parazitore kanë jetuar disa parti të vogla aty si AKR, Alternativa, dhe njerëz të cilët unë mendoj se nuk e meritojnë votën qytetare sepse janë parti të interesave të individëve”, thotë ai.

E për partitë e vogla, duke përmendur PSD-në tha se pas shkëputjes nga VV-ja, pesha elektorale e saj është zero.

“Kemi një pyetje për PSD-në e cila është shkëputur nga VV dhe mendoj se pesha e tyre elektorale është zero, pikërisht se kanë bërë një tradhti ndaj votës dhe votuesit, premtimit që kanë bërë”. 

Abazi ka komentuar edhe sloganin e PDK-së, e cila po thirret në luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit, të cilën e quajti qesharake. Sipas tij, janë njerëzit e PDK-së të cilët vetë kanë kapur drejtësinë.

“Përkundër faktit se disa nga liderët partiakë, sidomos ai i PDK-së veç ka filluar fushatën, është e qartë se ata janë në fushatë dhe po testojnë mesazhin e tyre, që është qesharake ‘lufta kundër krimit dhe korrupsionit’ nga njerëzit që e kanë kapë drejtësinë dhe për 15 vjet janë sinonim i krimit dhe korrupsionit politik në Kosovë”, thotë ai.

Rikthimin e Listës Serbe në koalicion për formimin e qeverisë së re, e quajti të pamundshëm për shkak se elektorati, nuk do të lejojë më një gjë të tillë.

“Nuk e mendoj në asnjë formë që do të përsëritet gabimi, pikërisht sepse partitë që bëjnë marrëveshje me Vuçiqin për rolin e Listës Srpska, e ajo është PDK-ja dhe pjesërisht AAK-ja nuk janë forca motorike tërheqëse për elektoratin e Kosovës. Elektorati i Kosovës e ka pa që nëse lejohet të vie deri në momentin kur Lista Serbe është determinuese për kompozicionin e qeverisë, atëherë vetëm në hapin e parë është vetësabotuar kushtetutshmëria e Kosovës”. 

Dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, Abazi nuk e ndërlidh fare me thirrjen nga Gjykata Speciale, por me mospajtimet brenda koalicionit.

“Thirrja e Dhomave Speciale për kryeministrin assesi nuk do duhej të ishte pjesë e diskutimit publik si arsye për dorëheqje. Dorëheqja ka ardhur si rezultat i mospajtimeve, përplasjeve brenda koalicionit të brishtë me interesa skajshmërisht polarizuese për parti dhe individë të cilët kanë qenë aty dhe kjo na bën të gëzuar sepse ka ndodhë një situatë e re që jep mundësi që votuesi të kthehet në rolin kryesor për të dhënë fjalën e vet”.

Abazi për dialogun: Jemi kthyer tek rezoluta 1244, Serbia duhet të bëjë lëshime

Ndërsa vendi ka mbetur në një situatë pa kryeministër, dialogu Kosovë-Serbi po vazhdon të jetë pezull si shkak i shprehjes së pakënaqësisë ndaj vendosjes së taksës nga Haradinaj ndaj produkteve serbe.

Abazi ka thënë se në diskutimet e zhvilluara deri më tash mes dy shteteve, Prishtina është parë si provincë e Serbisë.

Ai kërkon që në rrugën drejt proceseve integruese, Serbia të kompensojë dëmet e bëra gjatë luftës ndaj Kosovës dhe të bëjë lëshime.

“Kemi hy në një dialog ku Prishtinën realisht e ka pa si provincë të Serbisë, jemi kthyer tek 1244. Kemi anashkaluar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në dialog dhe mendoj procesi me Serbinë sa i përket kompromiseve të mëdha ka përfunduar me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Tani e tutje duhet të bisedojmë si fqinj që ja duam të mirën njëri-tjetrit dhe nëse Serbisë i duhet përkrahja e Kosovës për të ecur përpara në integrimet evropiane, atëherë Serbia duhet të bëjë lëshime dhe duhet të bëjë kompensimin e dëmeve që ka shkaktuar në Kosovë, nuk është e kundërta ku Kosova duhet të hyjë në pazar me territorin e vet”.

Analisti Abazi shton se nuk duhet të lejohet idea e “shkëmbimit të territoreve”, pavarësisht se prej kujt mund të shtyhet Kosova për ta bërë një gjë të tillë.

“Ne jemi përballur me tentimin për ndarjen e Kosovës dhe një pjesë e spektrit politik, përfshirë presidentin kanë qenë në atë anë që marrëveshja me Serbinë të bëhet duke i dhënë territor dhe duke e cenuar sovranitetin e vendit. Kjo nuk duhet lejuar në asnjë formë, qoftë përbrenda vakuumit politik që mund të krijohet, qoftë nëpërmjet ndonjë shtytje që mund të vije nga jashtë sikur mundësi, sepse tash kosovarët janë më të shtrirë për toke dhe mund të pranojnë çdo gjë”.

“Nuk do të thotë që për paqe dhe stabilitet duhet kompensuar dikë me territore dhe kushdo të jetë ai vend i Unionit Evropian mund ta arsyetojë tentimin për ta sforcuar një marrëveshje e cila nuk ka përkrahjen e gjerë qytetarë dhe politike në Kosovë”, përfundon ai.

Të ngjashme