Abazi: Një qeveri e varur nga Lista Serbe, do të jetë e brishtë dhe e shantazhuar

Prishtinë | 15 Kor 2017 | 10:57 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi ka thënë se një qeveri e krijuar me Listën Serbe do të jetë padyshim një qeveri e brishtë, e shantazhuar dhe e pafuqishme përballë temave të mëdha që do të ishin në interes të qytetarëve.

Abazi në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se qeverinë e ardhshme e presin sfida të shumta, e cila do të ballafaqohet me tema të mëdha nacionale, andaj varësia nga Lista Serbe do të jetë një dëm i madh.

“Një qeveri e cila krijohet me Lisnën Serbe edhe sikur të krijohet do të jetë qeveri e brishtë, e shantazhuar dhe e sabotuar nga vetë Lista Serbe, duke pasur parasysh agjendën e cilësdo qeveri që do ta ketë përpara. Demarkacioni, krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, krijimin e ushtrisë, liberalizimin e vizave, luftimin e krimit dhe korrupsionit që është edhe një ndër problemet kryesore që tani së fundmi edhe ambasadorja e Gjermanisë përmendi si çështjen kryesore, çështjen e liberalizimit të vizave”, ka thënë ai.

Abazi megjithatë beson se koalicioni PAN nuk do të arrijë të sigurojë numrat për formimin e qeverisë, edhe pse sipas tij, presidenti Thaçi do të bëjë ç’mos që të mos e mandatojë Vetëvendosjen për formimin e qeverisë së re.

“Në anën tjetër dështimi i krijimit të qeverisë nga PAN-i dosido e hap rrugën për një qeveri të re ndërmjet LDK së dhe Vetëvendosjes e cila njëjtë do ta ketë sfidë duke pasur parasysh që presidenti nuk është në favor të një qeverisje të tillë dhe ka fuqi për t’ua dhënë ose jo mandatarin cilitdo kandidat mund të jetë koncensual ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes dhe e futë Kosovën në një ngërç tjetër politik pa rrugëdalje që në fund kur e kemi parasysh qartësinë dhe fuqinë që duhet ta ketë qeveria dhe parlamenti përballë sfidave që përmenda”, ka pohuar ai.

Dhe në krejt këtë situatë, Abazi i sheh opsion edhe zgjedhjet e reja. Të cilat mendon se duhet të mbahen në të njëjtën kohë me ato lokale.

“Duket se forma më e mirë do të jetë zgjedhje të reja të përbashkëta nacionale dhe lokale në të njëjtën kohë,që të përfitohet nga një proces që do të jetë më pak i kushtueshëm për të krijuar institucione të qëndrueshme dhe eventualisht dinamizim të plotë të jetës politike që i duhet vendit” ka thënë ai.

Koalicioni PAN vazhdimisht po deklaron se i ka siguruar votat për formimin e qeverisë, ndërsa edhe nga Zyra e Presidentit bëhet e ditur se seanca konstituive pritet të thirret javën e ardhshme.

Në anën tjetër, koalicioni LAA dhe Vetëvendosje janë të bindur se deputetët e tyre nuk do ta përkrahin Haradinajn për kryeministër dhe se presin që mandatari i dytë t’u jepet atyre.

Të ngjashme