Abdixhiku: Kosova po përballet me valën më të rëndë të shtrenjtimeve, Qeveria vetëm spektatore

Prishtinë | 16 Shk 2022 | 19:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova po përballet me valën më të rëndë të papërballueshmërisë së çmimeve në historinë e saj.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës – raportit të publikuar sot – për vetëm një vit, çmimet e produkteve më bazike ushqimore e të shërbimeve kanë prekur rekorde të reja në vend.

Ai ka publikuar dhe një tabelë që tregon sa për qind janë rritur artikujt bazë.

POSTIMI I PLOTË:

Kosova po përballet me valën më të rëndë të papërballueshmërisë së çmimeve në historinë e saj. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës – raportit të publikuar sot – për vetëm një vit, çmimet e produkteve më bazike ushqimore e të shërbimeve kanë prekur rekorde të reja në vend.

Mielli është shtrenjtuar për 29%, buka për 17%, vaji për 46%, sheqeri për 23%, patatet për 24%, domatet për 30%, nafta e benzina për gati 30%, e energjia elektrike – pa subvencion – nga 85-104%. Janë çmime të rritura për vetëm 1 vit. Kjo rritje enorme, e paprecedentë deri më tani, vendosë kosovarët në krizën e papërballueshmërisë së përditshme.

Përballë kësaj krize, Qeveria Kurti ka braktisur detyrat e saj. Në kulmin e rritjes, ajo vazhdon të jetë vetëm spektatore. Vështron krizat barabartë me secilin qytetar. Asnjë masë fiskale, asnjë politikë qeveritare, asnjë pako zhvillimore e ndërmarrë deri më tash. Paaftësia qeverisëse kushton. Paaftësia e kësaj Qeverie kushton shumë.

Politika publike duhet të jetë e gjallë. Vizionet zhvillimore duhet të jenë të mëdha; të guximshme. Ngurtësimi në retorikë të thatë, herët apo vonë sjellë krizë. Dhe me çmime inflative si këto, ky vend veçse po futet në krizë.

Të ngjashme