Abdixhiku: Kurti të lirohet nga paranojat e argatëve të Serbisë e armiqve të padukshëm

Prishtinë | 15 Sht 2022 | 11:05 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke i thënë se ka një hall të madh të ushqesh këtë krizë të grevës.

Ai ka thënë se për LDK-në përgjegjës i vetëm është kryeministri, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku ka thënë se kryeministrit i takon të dialogojë, flasë e dëgjojë edhe me ata që s’pajtohet.

“Të dhënat në vend tregojnë se 40 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën gjatë qeverisjes së tij të parë e 60 mijë në mandatin e dytë. Kosova nuk ka Qeveri. Në vend të gjetjes së zgjidhjes ne dëgjojmë narracione e konspiracion të Qeverisë. Kjo është gjuhë e paaftësisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë që Kurti duhet të lirohet nga paranojat e argatëve të Serbisë, armiqve të padukshëm e rrëzimit të Qeverisë.

“Dy vitet e para i ke kaluar më 14 shkurt, e dy të tjera me frikën që po rrëzohesh. Në fakt njerëzit e vetëm që flasin për rrëzimin e Qeverisë janë te ti në kabinet”, ka thënë ai.

Fjalimi i plotë:

I nderuar Kryetar i Kuvendit, i nderuar Kryeministër, të nderuar deputetë,

Zonja e Zotërinj,

Jemi në javën e tretë të grevës së gjithmbarshme në arsim. Rreth 25 mijë mësimdhënës janë në grevë; ndërkaq rreth 318 mijë nxënës tash e 3 javë nuk vijojnë mësimin. Të kesh 318 mijë fëmijë e 25 mijë mësimdhënës jashtë sistemit arsimor është emergjencë kombëtare. Të kesh familje kosovare që nuk organizojnë dot përditshmërinë e tyre meqë nuk kanë ku t’i lënë fëmijët, është emergjencë kombëtare. Emergjencë që duhet të ngritë alarme e duhet të sjellë vendimmarrje. Kjo emergjencë, kërkon para së gjithash dialog dhe nga dialogu kompromis. Janë njerëzit tanë, familjet tona, mësimdhënësit e nxënësit tanë. Sot, nuk ka gjë më të rëndësishme se sa të dialogosh me ta e për ta e të gjesh një zgjidhje.

Kryeministri ka zgjedhur megjithatë një rrugë tjetër. Ai ka zgjedhur polarizimin. Fillimisht duke komunikuar në distancë me ta; e më pas duke lëshuar fletërrufe nga ideologët partiak që përfaqësuesit sindikal – me të cilët përndryshe bashkëpunonte vet sa ishte në opozitë – i portretizon si shërbëtorë të Serbisë, mësimdhënësit në masë si analfabetë; e kundërshtarët politik në opozitë, komunat, mediat e armiqtë e padukshëm si organizatorë të grevave me qëllim të rrëzimit të Qeverisë.

Duhet të kesh një hall të madh që të ushqesh këtë krizë. Duhet të jesh tërësisht i shkëputur nga realiteti në vend për të gjetur fajtorë nga Serbia deri tek opozita për një problem që megjithatë bërtet. Bërtet për zgjidhje. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, përgjegjësi i vetëm për këtë krizë ka adresë në Qeveri. I takon Kryeministrit të dialogojë, të flasë e dëgjojë edhe ata që nuk pajtohet – madje sidomos ata me të cilët nuk pajtohet. I takon Kryeministrit të vendit të gjejë zgjidhje që sjelljen e tij autokratike të dënimeve me paga në kohë krize, ta zëvendësojë me paga më të larta në kohë të inflacioneve rekord të vendit. I takon Kryeministrit të vendit që 318 mijë fëmijët tanë e 25 mijë mësimdhënës të Kosovës të nisin procesin mësimor. Reformat në arsim, testimet e mësimdhënësve, kualitetet e domosdoshme – masa të cilat Lidhja Demokratike i kërkon, propozon dhe i mbështet në plotni –  arrihen me politika të mirëfillta shtetërore. Por sot kemi nevojë për mësim. Sot kemi nevojë për kompromis me njerëzit tanë.

Përtej krizës në arsim, Kosovës po i afrohet dhe kriza energjetike. Reduktimet e energjisë elektrike në mes të verës nuk kanë të bëjnë fare me krizën globale energjetike. Pasojat e kësaj krize do t’i kemi gjatë dimrit. Ato ende nuk kanë mbërri. Ne verës, në mes të gushtit, nuk kishim energji sepse kapacitetet tona prodhuese ishin jofunksionale. Blloqe të tëra prodhimi janë jashtë funksionit tash e sa muaj; e për shkak të papërgatitjeve shtetërore, ato do të mbesin jashtë dhe gjatë dimrit kur Kosova do të jetë në krizë.

Kjo Qeveri, ka pasur një vit kohë që të përgatisë veten dhe vendin për një dimër të vështirë. Jemi një vit pas dhe Kosova as nuk ka kontrata furnizimi, as riparime me kohë të blloqeve, as masa efiçente kursimi e as politika mbështetëse për ngrohje alternative. Sikurse me çdo krizë tjetër deri më tani, edhe kjo me energji do të zë Kosovën pa Qeveri.

Në një përballje të tillë me kriza të njëpasnjëshme, ajo e inflacionit vazhdon të rëndojë secilën ditë. Mbi 20% është inflacioni i gjithmbarshëm nga nisja e punëve të kësaj Qeverie. Ndonëse rritja e çmimeve në vend është e importuar, masat e ofruara nuk ekzistojnë. Pakot sociale janë pako paniku dhe pa efekt; sepse çmimet po rriten, inflacioni po arrin nivele rekord; investimet kapitale nuk po ekzekutohen; e qytetarët tanë tashmë janë varfëruar për një të pestën e pasurive të tyre.

Të dhënat në vend tregojnë se 44 mijë punëtorë kanë lëshuar Kosovën në vitin 2021; e plot 61 mijë të tjerë vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Humbja e 100 mijë punëtorëve përgjatë qeverisjes Kurti tregon gjendjen e vërtetë në vend. Janë numra alarmant këta. A është kjo shpresa e premtuar për qytetarët e Kosovës? Kjo më nuk është gjendje normale; por ne megjithatë kemi një Qeveri në gjendje iluzioni. Kompanitë tona janë në vështirësi, paratë e shtetit janë të bllokuara, ekzekutimet e investimeve kapitale mbesin në numra një shifrorë, e përtej forcës punëtore dhe truri i Kosovës po largohet nga vendi. Kjo ikje, sidomos në sektorin e shëndetësisë, ku Qeveria Kurti ka dështuar tërësisht, do të ketë pasoja fatale për gjenerata të tëra.

Le ta themi qartë. Kosova nuk ka Qeveri. Jemi në krizë, dhe kapërcimet politike i bëjmë nga kriza në krizë. Në vend të gjetjes së zgjidhjeve për çdo problem, nga greva, tek energjia, inflacioni, ikja e shëndetësia, ne dëgjojmë narracione të 14 shkurtit, fajësimeve për 20 vjet, e konspiracioneve për rrëzim të Qeverisë. Kjo është gjuha e paaftësisë. Sërish, duhet të jesh tërësisht i paaftë, që ditën e parë të punës, në vitin e dytë të pushtetit, ta përmendësh si arritje. Duhet të jesh vërtetë në dëshpërim që çdo krizë qeverisëse ta lidhësh me teori konspirative.

Prandaj kryeministër bën zgjidhje. Bën zgjidhje për secilën krizë. Lirohu nga paranoja e argatëve të Serbisë, armiqve të padukshëm e rrëzimit të Qeverisë. Në fakt, njerëzit e vetëm që sot flasim për rrëzim të Qeverisë janë pikërisht ata që i ke në Qeveri. Përveç, dhe këtë mund ta kuptojmë ditëve në vijim, nëse keni për qëllim mirëmbajtjen e krizave. Përveç nëse dëshironi që këto kriza ti shfrytëzoni për ikje nga përgjegjësisë, atëherë polarizimi juaj dhe ushqimi i krizave merr kuptim. Por aty s’mund të ju ndihmojmë.

Ju faleminderit.

Të ngjashme