Abdixhiku: LDK do ta çlirojë për të dytën herë Kosovën

Prishtinë | 06 Sht 2019 | 00:52 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se partia e tij do të ketë shumë momente për të cilat do të mbahet mend.

Ai thotë se LDK-ja ka luajtur rol konstruktiv në ndërtimin e shtetit dhe çkapjen e tij.

Ai shton se LDK nuk ka pasur sjellje të arrogancës dhe keqpërdorim të parasë, siç kishin partitë tjera.

“Në kohën e LDK-së nuk janë punësuar 200 persona për një mandat. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Nuk i kemi falur milionat e të themi pastaj i kemi fal se na u ka tekë”, ka thënë ai në KTV.

Ai thotë se ikjet e njerëzve pas ardhjes së Isa Mustafës në krye të qeverisë, ishte si pjesë e pakënaqësive të akumuluara me vite.

Abdixhiku thotë se me ardhjen e Vjosa Osmanit do të ndodhë çlirimi i dytë i Kosovës.

“Numrat ekonomik e social, të politikës së jashtme janë skandaloz. Momentet më kritike të Kosovës i kanë dhënë hapësirë Serbisë të avancojë. Çështja e kufijve është hapur në këtë qeverisje. Ne jemi duke iu ofruar një mundësi më ndryshe. Për bindjet tona 20 vjet pas luftës Kosovës do t’i vije një e mirë e madhe, do të ndodhë çlirimi i dytë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Vjosa Osmani jep modelin e të qenit të zakonshëm. Sipas tij, ajo jep shembullin që të jesh një udhëheqëse e një vendi, duhet të kesh duar të pastra.

Ai thotë se Vjosa Osmani nuk ka ardhur në atë pozitë pse është grua, por sipas tij, të qenit grua nuk e ka ndaluar të mandatohet.

Ai tutje ka shtuar se është strategji e partive tjera, të sulmojnë LDK-në dhe Vjosa Osmanin përmes lajmeve të rrejshme.

“Ka dy fushata që po bëhen me lajme të rrejshme, janë videot dhe të dhënat përmes faqeve të ndryshme të hapur në emër të saj”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se nuk duhet bërë fushata të rrejshme sepse mund të rrezikohet jeta e njerëzve.

Sipas tij, lista e LDK-së do të jetë e pastër nga akuzat.

“Ne mund të kemi defekte por tendenca mu barazu me LDK-në është krejtësisht absurde”, ka thënë ai.

Të ngjashme