Abdixhiku nis opozitarizmin në terren, del të flasë me qytetarë dhe struktura të partisë

Prishtinë | 14 Pri 2022 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dalë në terren për t’u takuar me qytetarë e struktura të partisë. Ky cikël i takimeve, ai paralajmëroi se do të vazhdojë nëpër gjithë vendin.

Me këto takime, siç ka shkruar ai në Facebook, LDK ka për qëllim që të komunikojë drejt dhe drejtpërdrejt me secilin grup të interesit.

“Këtë komunikim, LDK duhet dhe do ta mbajë si të përhershëm ngase kështu kupton qytetarin dhe kuptohet nga qytetari”, shkroi Abdixhiku.

“E filluam me Ilir Feratin në Istog, në një bashkëbisedim të shkëlqyeshëm me të rinjtë, gratë e me strukturat tona; për të vazhduar me proces të regjistrimit të anëtarësisë sonë si parakusht i demokratizimit tonë të brendshëm, gjithëpërfshirjes përmbajtësore, e mobilizimit më të mirë tonë strukturor në të gjitha nivelet”, shtoi ai.

Abdixhiku tha se në takimin e sotëm i ka shpalosur planet e brendshme të Konventa Programore të 29 dhe 30 prillit nga ku, tha se “një orientim i qartë qeverisës do të nis të marrë formë”.

Të ngjashme