Abdixhiku nuk e konfirmon kalimin e deputetes Doarsa Kica në LDK, “ajo është njëra prej deputetëve më profesioniste”

Prishtinë | 07 Sht 2022 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së kësaj partie në një konferencë për media është pyetur për anëtarësimin e deputetes Doarsa Kica Xhelili në Lidhjen Demokratike të Kosovës por që nuk ka është përgjigjur konkretisht.

Abdixhiku shfrytëzoi rastin që vetëm të flas për profesionalizimin e deputetes.

“Unë kam thënë edhe më parë që deputetja Doarsa Kica Xhelili është njëra prej deputetëve më profesioniste që Kuvendi i Kosovës ka”.

“Ajo ka treguar integritet të lartë në çdo temë që ka trajtuar deri tani dhe ne vazhdimisht kemi thënë që jemi të hapur për njerëz profesionist të mirë që ka Kosova. Për çdo informacion të ri dhe çdo tjetër që ka LDK-ja do të merrni vesh nga LDK-ja në kohën më të shpejt dhe më të mirë të mundshme”.

Abdixhiku mohoi raportimet se bëhet fjalë për grupacione të anëtarësimit në LDK.

“Nuk do të kemi interesime grupore 7-8 grupe, ne po flasim për njerëz të mirë për njerëzit më të mirë që ka Kuvendi i Kosovës. Pra nuk po flasim për grupe”.

Ai vazhdoi duke thënë se, “nuk ka lajme të tilla, janë më tepër diskutime mediatike sesa që janë qëndrime tona politike”.

Ndërkaq bëri të ditur se gjatë mbledhjes kanë diskutuar për gjendjen në Kosovë.

“Folëm për gjendjen e tanishme ekonomike dhe politike në vend. Në radhë të parë për gjendjen e vështirë nëpër të cilët qytetarët tonë po kalojnë, nuk kemi parë ndonjë përgjigje të dhënë nga institucionet tona, biseduam për grevën në arsim ne besojmë që kërkesat e mësimdhënësve tanë janë plotësisht legjitime”.

“Mbi të gjitha kemi bërë kërkesë vazhdimisht nga Qeveria që të ulet dhe të dialogoj me sindikalistet sepse nuk mund të komunikohet nga distanca”.

Ai deklaroi se do të fillojnë diskutimet me qytetarët në secilin qytet.

“Morëm vendim për të nisur thurjen e diskutimeve tona në çdo qytetet anëtarët e kryesisë, anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të bashkëbisedojnë me qytetarët”.

Albanian Post ka konfirmuar nga burime brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës se kalimi i deputetes Doarsa Kica-Xhelili nga Lista Guxo në grupin e tyre parlamentar tashmë është punë e kryer.

“Po, vjen”, ka thënë shkurt burimi.

Vetë Kica-Xhelili, nuk është deklaruar për media dhe akoma as LDK s’e ka konfirmuar zyrtarisht kalimin e saj, por lajmit i ka dhënë hije të së vërtetës një reagim i Faton Pecit, ministër aktual i Bujqësisë dhe një nga figurat kryesore të Listës Guxo.

“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”, shkruan ai në llogarinë e tij në Facebook, duke e përcjellur me një fotografi nën shoqërimin e themelueses së Listës Guxo, presidentes Vjosa Osmani, dhe zëvendëskryeministres, Donika Gërvalla.

Shenja përçarje ishin vërejtur edhe në një tubim të Listës Guxo në Pejë, kur Kica-Xhelili kishte munguar, ndryshe nga pjesa tjetër e figurave të Guxo.

Të ngjashme