Abdixhiku për shkurtimin e fushatës zgjedhore: Vetëm nga Kurti nuk kam marr përgjigje

Prishtinë | 02 Sht 2021 | 20:42 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ka marr përgjigje nga dy liderët e dy partive opozitare për të shkurtuar fushatën elektorale për zgjedhjet lokale.

Abdixhiku tha se nuk ka marr ende përgjigje nga kryetari i VV-së, Albin Kurti.

Postimi i plotë:

Sot në mëngjes, nëpërmjet një mesazhi publik, kam ftuar të gjithë liderët e partive parlamentare për një pakt partiak rreth shkurtimit të fushatës zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë; gjithmonë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore në vend.

Në orën 11:45, kam marrë përgjigje pozitive, në formë të shkruar, nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj; madje me një propozim të ri që fushata të mos zgjasë më shumë se 5 ditë.

Në ora 18:00, ndërsa, kam marrë konfirmimin tjetër nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi, i cili, poashtu ka shprehur gadishmëri për një shkurtim eventual të fushatës zgjedhore. I falëndëroj të dy për përgjigjjet e menjëhershme.

Ende nuk kam marrë as konfirmim e as pranim propozimi nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, z. Albin Kurti; të cilin e ftoj sërish, t’i bashkëngjitet kësaj nisme e nga aty edhe takimit eventual të të gjithë liderëve për definim formal të paktit në fjalë me gjithë propozimet e deritanishme e të tjerat që mund të vijnë.

Hapat tonë partiak, shërbejnë në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor demokratik, më 17 tetor, të sigurtë për të gjithë, përgjegjës ndaj të gjithëve.

Të ngjashme