Abdixhiku takohet me përfaqësues të lartë të BE-së, e përgëzojnë për rolin konstruktiv të LDK-së

Prishtinë | 13 Pri 2021 | 21:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot bashkë me nënkryetaren Shqipe Mjekiqi -Sadiku, kanë zhvilluar një takim miqësor me përfaqësues të lartë të BE-së, Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Olivér Várhelyi, Zëvendës Kryetarin e Grupit të PPE për Zgjerim, Ballkanin Perëndimor dhe Fqinjësi Jugore në Parlamentin Evropian, Andrey Kovatchev, dhe një numër eurodeputetësh e raportuesish nga Parlamenti Evropian.

Përfaqësuesit e BE-së vlerësuan lart pjesëmarrjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në procesin e votimit dhe përgëzuan kryetarin Abdixhiku për rolin konstruktiv që LDK ka luajtur duke i hapur rrugë zgjedhjes së Presidentes.
Po ashtu, njoftuan kryetarin Abdixhiku që BE-ja është duke finalizuar përpjekjet që, përveç kanalit COVAX, shumë shpejt të sigurojë vaksina shtesë për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit.

“Kryetari Abdixhiku falënderoi përfaqësuesit e BE-së për mbështetjen që ka dhënë BE për Kosovën duke theksuar nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit dhe një përshpejtim të procesit të integrimit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Të ngjashme