Abdixhiku: Thaçi nën hijen e Speciales është i gatshëm të falë territor

Prishtinë | 29 Gus 2018 | 17:05 | Nga

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi mund të bëjë pazare për ndarjen e territorit pasi është në panik.

Sipas Abdixhikut, deklarimet e fundit të Thaçit kundër opozitës, se ajo “po e konsideron qëllimkeqe mbështetjen e aleatëve të Kosovës për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë”, tregojnë se ai është në panik nga Gjykata Speciale.

“Nervozizmi i Hashim Thaçit e vërsulja e tij ndaj opozitës është veçse shenjë e panikut. Panik që buron nga mobilizimi i opozitës, shoqërisë kosovare e secilit kontribuues tjetër të Republikës”, ka thënë Abdixhiku.

Sot opozita ka dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për të votuar një rezolutë që ndalon diskutimin e kufijve në dialogun me Serbinë.

“Kosova nuk rrezikohet nga veprimet e opozitës për mbrojtje territoriale. As nga uniteti i gjerë shqiptar. Ajo rrezikohet nga pazaret për ndarje të Kosovës me Aleksandrin e Beogradit. Rrezikohet nga një lider që nën hijen Speciales është i gatshëm të falë territor. Rrezikohet nga një President që krahason shtetin e vet të pavarur me krahina në Abkhazi e Oseti; që në thellësinë e paditurisë zhvlerëson 114 njohje shtetërore, mendimin vulë të GJND-së, e secilën përpjekje tjetër 30 vjeçare për shtet e sovranitet”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku thotë se edhe aleatët më të mëdhenj të Kosovës janë habitur nga deklarimet e Thaçit se mund të arrijë marrëveshje për të zgjidhur problemet me Serbinë.

“Kosova rrezikohet nga kërkesat naive ndaj ndërkombëtarëve “na lini vet se problemet i zgjidhim ne me Serbinë e Aleksandrin” – sepse “ui ar not problematik gajs”. Qëkur shqiptarët qenkan më mirë vet në përballje me agjendat e Serbisë së Madhe e qëkur Serbia s’qenka problematike?! Këso qëndrime, këso plane, këso deklarime naive i kanë zënë në befasi edhe aleatët më të mëdhenj të Kosovës – nga Gjermania në Britani, nga Britania në SHBA”, ka shkruar më tej Abdixhiku.

Abdixhiku më tej ka thënë se javën e ardhshme opozita do të fundosë përfundimisht projektin e ndarjes së territorit të Kosovës.

“Javën që vjen, rezoluta parlamentare e opozitës, e mbështetur tashmë edhe nga partitë të pozitës, e deligjitimon përfundimisht përfaqësimin e tij anti-republikan. Kjo rezolutë e fundosë mirë e fort – para Kosovës e komunitetit ndërkombëtar bashkë – projektin e ndarjes. Shqiptarët, në shumicë absolute, si rrallëherë më parë kalojnë vijat partiake e flasin me një zë. Zë që dërgon projektet e Hashimit e Aleksandrit në harresë historike. Zë që thotë mirë e qartë se ndarje nuk ka” ka thënë Abdixhiku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme