Abdixhiku thotë se Kartoni i Gjelbër mbetet në vullnetin politik

Prishtinë | 18 Maj 2018 | 18:36 | Nga

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dhënë mendimet e tij në lidhje me mbikëqyrjen e Kuvendit, për Kartonin e Gjelbër dhe mikrofinancat.

Për sa i përket Kartonit të Gjelbër, Abdixhiku në KTV, tha se qytetarët e Kosovës nuk mund të blejnë karton të gjelbër por duhet t’i drejtohen vendeve fqinje siç është Bullgaria, ose në anën tjetër, mërgimtarët duhet të bëjnë pagesa shtesë për të hyrë në Kosovë.

Kjo temë, tha ai, përfshinë shumë institucione përfshirë edhe BQK-në, por shton se faktor thelbësor e problematik mbetet ai politik.

“Të martën jemi mbledhur në një takim ku ka pasë vullnet pozitiv, por ka pasë mungesë të vullnetit politik për të trajtuar këtë çështje. Megjithatë, zgjidhja është shumë afër”, tha ai.

Abdixhiku thotë se anëtarësimi në Kartonin e Gjelbër, nuk bëhet ashtu siç është thënë se s’mund të anëtarësohemi pa u anëtarësuar në OKB. Pra anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër, e sheh të mundur. “Ky është vullnet politik i Kosovës”, thotë ai.

“Duhet mbase të sillet një kompani e huaj në Kosovë, që zgjedh vetëm problemin e qytetarëve të Kosovës, që do të ishte bukur avancim i madh sepse që 18 vjet s’është bërë asgjë. Në vitin 2001, Byroja e Kartonit të Gjelbër e mundësoi anëtarësimin, e pse qysh atëherë s’është bërë asgjë”, tha ai.

Abdixhiku shtoi se janë katër anëtarë të shteteve tjera që mund të mbulojnë Kosovën, mund të jetë Gjermania por mund të jetë edhe Sllovenia. “Do bëhen vizita për të zgjidhur këtë çështje. Pra, janë katër raste që një shtet mbulon një tjetër shtet me karton të gjelbër”, tha ai.

Abdixhiku foli edhe për komisionet hetimore parlamentare, njëri që është komisioni hetimor për milionat e shpenzuar në lobim, dhe ai për arrestimin e gjashtë shtetasve turq.

Abdixhiku tha se këto nisma, morën hap të mirë, por PDK-ja duke mos dhënë emrat e vet për anëtarë, po e ngadalëson votimin.

“Është shkelje e rëndë nga PDK. Sepse nëse ka kuorum atëherë duhet të funksionojë. Janë 40 nënshkrime dhe janë mjaft të fuqishme. Në fakt, të vetmit që nuk votojnë janë PDK dhe AAK”, tha ai. “Proceduralisht, kjo duhet të funskionalizohet dhe kërkojmë nga kryesuesi i Komisionit mos të shkel rregulloren”, tha ai.

Qëllimi ynë, thotë Abdixhiku, është të shohim se fondet që jepen, a janë keqpërdorur për interesa individuale.

Abdixhiku foli edhe për mikrofinacnat, që tha se është problem tjetër i madh për Kosovën.

Çështja e këtyre, Abdixhiku tha se OJQ-t duhet të paguajnë tatim. Zgjidhja sipas tij, organizatat duhet të pushojnë veprimtarinë si OJQ, dhe kapitalin ta kthejnë në donator.

“Institucionet mikrofinanciare të mos veprojnë më si OJQ”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme