Abdullahu: SHBA-ja ka parë se VV-ja dhe LDK-ja nuk i besojnë njëra-tjetrës

Prishtinë | 29 Jan 2020 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Faton Abdullahu, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një arsye nuk po bëjnë presion mbi Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në për ta arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje.

“Kur erdhi përfaqësuesi i Donald Trump, Richard Grenell në Kosovë e tha qartë se ‘kemi ardhur për këtë e atë’ dhe nënvizoi se: “Nuk kemi ardhur për ta ndihmuar bërjen e koalicionit”.

“Nuk ka insistim nga SHBA, sa kam kuptuar unë, as nuk pati sugjerim në mënyrë shoqërore për ta ndihmuar këtë koalicion. Amerikanët kanë parë se këto dy forca politike nuk po i besojnë njëra-tjetrës. Prandaj kanë qëndruar anash”, ka thënë Abdullahu, njofton Klan Kosova.

Abdullahu në Info Magazine ka theksuar se ftesa që Vetëvendosje u ka bërë ambasadorëve të shteteve të QUINT-it për të qenë pjesë e negociatave është kthim prapa për vendin.

“Më është dukur shumë e çuditshme ftesa që ambasadorët e huaj të involvohen në negociatat në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së. Sa e kuptuam ishte VV që ka bërë ftesë, për prezencë dhe informim. Por s’ka qenë punë informimi por përpjekje për të bërë trysni ndaj LDK-së. Kërkesa për një lloj ndihme ishte si për të thënë ‘ja çfarë po kërkon LDK’”.

“Fakti që është bërë një ftesë e kësaj natyre në këto rrethana është një dimension i ri në gjithë këtë muhabet. Çështja e përfshirjes së ndërkombëtarëve mendonim se i përket të kaluarës. Nëse tani kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët, kjo tregon se edhe në të ardhmen e afërt do t’i thërrasësh për t’u thënë: eja na pajto. Kërkesa për përfshirje të ndërkombëtarëve është kthim prapa”.

Të ngjashme