Abdullahu: Sot VV dhe Lista Serbe u bashkuan kundër veteranëve të UÇK-së

Prishtinë | 14 Qer 2022 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu ka reaguar ashpër për vendimin e Kuvendit të Kosovës ku sot deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe u bënë bashkë për të larguar veteranëtve UÇK-së nga paga minimale në Kosovë.

Abdullahu ka shkruar në faqen e tij në Facebook se sot, në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosjes i doli në krah Lista Serbe për ta bërë një “listë të re” të historisë së Kosovës, prej ku veteranët e UÇK-së janë të përjashtuar.

“Sot VV dhe Lista Serbe u angazhuan bashkë maksimalisht jo vetëm që veteranët të mos jenë të barabartë në pagën minimale, por që edhe historia e tyre të minimalizohet maksimalisht. Sot VV dhe LS u bënë me një gojë që UÇK-ja të mbetet vetëm gojdhënë e përjashtuar nga çdo lavdi e histori dhe më së shumti nga çdo institucion i Kosovës. Sot Vetëvenndosja dhe Lista Serbe në Kuvendn e Kosovës u morën vesh se si t’i vlerësojnë veteranët e UÇK-së duke i diskriminuar dhe duke i përjashtuare e nënçmuar”, tha Abdullahu.

Ai tha se në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, VV dhe Lista Serbe e treguan fytyrën e vërtetë, duke dëshmuar se paftyrësia politike kundër shtetit të Kosovës është klanore, arrogante por edhe e koordinuar.

“Sot VV dhe LS e bënë bashkë politikën e Kosovës zyrtare të cilën nuk ka mundur ta bëjë kaq djallëzore as Serbia zyrtare. Sot VV dhe LS në Kuvendin e Republikës së Kosovës filluan publikisht, bashkë, një të ardhme të re regresive që është rrezik i vjetër për shtetin e Kosovës. Kjo tango politike VV – LS është duke i lëvizur hapat me tingujt e muzikës që luhen diku jashtë Kosovës. Ju si duket nuk e keni ndërmend të ndaleni, por as ne nuk e kemi ndërmend të ju lejojmë”, ka shkruar Abdullahu.

Të ngjashme