Abdullahu: Veprimet e Speciales po bëhen si shkak i largimit të vëmendjes së Washingtonit

Prishtinë | 05 Nën 2020 | 07:50 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Veprimet e Gjykatës Speciale karshi krerëve të shtetit me arrestime e bastisje po ndodhin pikërisht nga largimi i vëmendjes së Administratës në Uashington, raporton Ekonomia Online.

Këtë konstatim e ka analisti politik, Faton Abdullahu, për të cilën thotë se Gjykatës Speciale po i konvenon kjo gjë.

Për Ekonomia Online, Abdullahu thotë se veprimet Gjykatës Speciale janë politike, teksa shton se qëllimisht është përzgjedhur kjo kohë 

“Unë konsideroj se kur të sqarohet se kush do të jetë në krye të administratës në Uashington, atëherë gjërat do të marrin rrugë më të mirë e më të qartë. Kam përshtypjen se Gjykata si duket i konvenon që mos e ketë këtë përqendrim të administratës në Uashington dhe t’i bëjë këto që po i bën tash, e që janë të dëmshme për Kosovën dhe për demokracinë”. 

 “Është një vazhdimësi e asaj çfarë bëri Gjykata Speciale edhe më herët. Është vazhdimësi e një mendësie anti-evropian, qasja, mënyra dhe koha se kur po i bën, pra të gjitha këto bastisje që po i bën Gjykata Speciale tregon se kemi të bëjmë me veprime politike të përpunuara më herët e që e kanë përzgjedhur këtë kohë kur siç duket jemi në një transfer në SHBA e saktësisht nuk po dihet se a do të jetë Trump apo Biden, shfrytëzohet edhe kjo kohë, prandaj më jep të drejtë të konstatoj se kemi të bëjmë me një Gjykatë që për bazë ka mendësinë anti-evropiane e drejtuar ndaj Kosovës evropiane, që këtë Kosovë e kanë ndërtuar mbi vlerat euroatlantike”, tha Abdullahu.

Sipas tij, administrata e re në Uashington, do t’i dërgojë sinjale Speciales që siç thotë ai, mos t’i tejkalojë kompetencat e saj e mos të veprojë në mënyrë arbitrare.

 “Unë mendoj se tërthorazi pa bërë asgjë administrata e ardhshme në Uashington, do ta krijojë një përshtypje sepse do t’i dërgojë edhe tërthorazi sinjale Speciales që mos t’i kalojë kompetencat e saj e mos të veprojë kështu në mënyrë arbitrare pa kurrfarë respekti për institucionet e as për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj shumë se një administratë e re në SHBA, do të amortizoj këtë të keqe që po e bën Gjykata Speciale jo mbi parimet etike e morale por mbi parimet e një politike që tash e sa kohë po i ftoh raportet Bruksel-Uashington”, ka thënë ai.

Aktakuza e ngritur për presidentin Thaçi, sipas Abdullahut, është e qëllimshme, duke thënë se kjo ka bërë që t’i ndalë projektet e nisura nga Washingtoni.

“Kur Presidenti Thaçi u nis për në Washington për ta përfunduar një projekt që ishte projekt i përbashkët i Kosovës me Uashingtonin por edhe i Serbisë, për ta përfunduar një projekt e që më vonë u quajt marrëveshja për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në atë kohë duke u përmbyllur ky projekt, Thaçi u akuzua dhe u ndërpre ky projekt amerikan dhe ky fakt të jep argument se kemi të bëjmë me një djallëzi politike që mëshefet Gjykatës Speciale për t’i ndalë projektet e tilla që i filloi Washingtoni”.

Të ngjashme