Abelard Tahiri: Jeta në Kosovë po bëhet e papërballueshme, me shtrenjtimin e rrymës dhe të gjitha produkteve esenciale

Prishtinë | 21 Shk 2022 | 11:20 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se nuk është transparente për çështjen e dialogut, raporton Ekonomia Online.

Ndër pikat e rendit të ditës në seancën e Kuvendit që të do të mbahet të enjten, do të jetë debati parlamentar për dialogun me Serbinë, pas kërkesës së grupit parlamentar të AAK-së.

Tahiri, i cili foli pas mbledhjes së Kryesisë, foli edhe për shtrenjtimin enorm të rrymës, si dhe të produkteve esenciale, që po e vështirësojnë jetën e qytetarëve.

“Ne kemi hapur debatin për këtë çështje ende pa u marrë vendimi nga ZRRE për shtrenjtimin e energjisë, me ç’rast kemi kërkuar që rritja e çmimit të energjisë të mos ndodhë”.

Ai rikujtoi se PDK-ja kishte kërkuar që vendimi për shtrenjtim të anulohet dhe të gjendet një zgjidhje më e përshtatshme për qytetarët.

Krahas shtrenjtimit enorm të energjisë, Tahiri tha se janë shtrenjtuar edhe produktet esenciale.

“Ju e shihni që çdo produkt esencial ka pësuar rritje, si dhe shtrenjtimi i energjisë elektrike e bën të papërballueshme koston e jetës së qytetarëve. Jeta në Kosovë po bëhet e papërballueshme”.

Tahiri përveç për shtrenjtimin e rrymë dhe produkteve esenciale, e kritikoi Qeverinë edhe për çështjen e dialogut, për çka kërkoi transparencë me të madhe.

“Sot nuk mund te flasim për draftin e një marrëveshje me Serbinë, draft të cilin ne nuk e kemi parë. Po ka ide, edhe veprime të cilat nuk po janë në favor të Kosovës, siç ka qenë çështja e targave, por edhe vendimi i ZRRE-së për mospërfshirjen e komunave veriore brenda shtrenjtimit të energjisë”, tha ai.

Tahiri tha se në seancën e radhës do të diskutohet Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i cili kishte qenë iniciativë e Bedri Hamzës, kur ky i fundit ushtronte detyrën e ministrit të Financave.

Tahiri foli edhe për Kodin Civil, të cilin e cilësoi si më të rëndësishmin.

“Ende shumë çështje rregullohen me legjislativin e ish-Jugosllavisë. Nga Kodi Civil do t’i largojmë një pjesë të legjislacionit që ka mbetur nga koha e ish-Jugosllavisë”.

Në Kodin Civil, një çështje që ka nxitur debat është rregullimi i martesave mes gjinisë së njëjtë në Kosovë.

Tahiri tha se për martesat mes gjinive të njëjta duhet të vendoset pas një debati publik.

Të ngjashme