Abelard Tahiri: Presidenti e paska dekretuar Hotin, do të jete qeveri e përfitimeve, jo e parimeve

Prishtinë | 30 Pri 2020 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga radhët e PDK’së, Abelard Tahiri ka reaguar pasi Presidenti Hashim Thaçi e ka dekretuar Avdullah Hotin e LDK’së si kandidat për kryeministër. Sipas Tahirit, kjo qeveri do të jetë qeveri e përfitimeve dhe jo e parimeve.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri ka thënë se nga një koalicion i shpresave të rreme, do të kalohet në një koalicion të interesave të bëme.

“Kështu, ish zëvendëskryeministri që para tre muajsh e lavdëronte shefin e tij Albin Kurtin si kryeministër i shpresës, tani po ia zë vendin, për shkak se Albini paska qenë kryeministër i shthurjes. Pra nga një koalicion i shpresave të rreme, po kalojmë tek një koalicion i interesave të bëme. Do ta kemi një qeveri të re që është kombinuar nga rrethanat e përfitimet, por s’ka të bëjë asgjë me parimet”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri ka thënë se kjo tregon qartë se Vetëvendosja dhe LDK-ja, janë e njëjta mendësi shantazhuese, që synojnë të përfundojnë në qeverisje përfituese.

“Kjo tregon qartë se Vetëvendosja dhe LDK-ja, janë e njëjta mendësi shantazhuese, që synojnë të përfundojnë në qeverisje përfituese. Natyrisht se përballë këtij devalvimi të integritetit politik, detyrat tona si opozitë bëhen më të mëdha. Kosova meriton shumë më mirë se kaq, e një ditë, shumë afër, do ta ketë atë që e Meriton”, ka shkruar Tahiri. 

Të ngjashme