Abelard Tahiri “shkak” i përplasjes së deputetëve, kritika e akuza ndërmjet Haxhiut dhe Beqës

Prishtinë | 09 Kor 2019 | 14:47 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka munguar në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, në të cilën ishte paraparë të diskutohej për kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues që lidhen me Ligjin e Pagave, raporton Ekonomia Online.

Kjo mbledhje ka filluar me kritika drejt ministrit Tahiri duke e quajtur skandaloze shkresën e tij.

Kryesuesja e këtij komisionit, Albulena Haxhiu, u kritikua nga deputetët se thirrja e saj për këtë mbledhje është bërë për arsye partiake.

Por ajo në fjalën e saj tha se ministri Tahiri e ka obligim kushtetues të vijë dhe të raportojë.

“Unë  ministrin se kam ftuar si organ partiak, por si organ i legjislacionit dhe ai e ka obligim kushtetues që te vijë të raportojë, pavarësisht pse ai nuk është, ne do të insistojmë ta ftojmë përsëri sepse ka disa çështje që duhet të bisedojmë”, tha ajo.

Haxhiu thotë se mosprania e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, për të raportuar në lidhje me çështjen e noterëve, tregon se ai është përgjegjës për tërë procesin.

“Fakti që Abelard Tahiri refuzon për herë të dytë raportimin në Komision për skandalin e rekrutimit të noterëve të rinj, flet më shumë se çfarëdo argumenti tjetër. Ai nuk do përballje sepse është përgjegjës për komprometim të procesit. Ne nuk do të ndalemi me kërkesa për llogaridhënie dhe dhënie të përgjegjësisë e sidomos me kërkesën për anulimin e këtij procesi dhe kthim në pikën zero”, ka shkruar Haxhiu, 

Deputeti Sami Kurteshi tha se refuzimi i ministrit për të raportuar në lidhje me çështjen e noterëve është skandal i radhës.

“I tmerruar nuk jam sepse jam mësuar me këto sjellje, ministri deklaron refuzoj të deklaroj kjo është një skandal i radhës. Përveç kësaj behët përpjekje që kjo të nxirret si një punë e VV-së, mirëpo kjo paraqitet si konflikt mes ministrisë dhe VV-së. Ministri me disa çështje dëshmon të kundërtën që e ka thënë, po të lexohet me kujdes, në fund konstaton se nuk mund të raportoj për një proces në zhvillim e sipër”, tha ai.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se letra që ka dërguar ministri është skandaloze.

“ Kjo letër që  ministri e ka adresuar është skandaloze”, tha ajo.

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, tha se gatishmëria e ministrit Tahiri për të raportuar cdoherë ka qenë në nivel.

“Është interesant që sa herë që e kemi thirr ministrit kanë qenë aty, nëse në të ardhmen thuhet se ka pasë qasje në përzgjedhjen e tyre ka procedura te tjera”, tha ai, raporton EO.

Deputeti Sami Kurteshi tha se nëse ky proces konstatohet se është i manipuluar atëherë duhet të ndërpritet.

“Procesi është i manipuluar nëse na dojmë më i mbyllë sytë, nëse konstatohet se është i manipuluar duhet ta ndërprejmë”, tha ai.

Deputeti Korab Sejdiu tha se është papërgjegjësi nga ana e ministrit mosardhje e tij në komision.

“Është papërgjegjësi prej një ministri që ka pasë bashkëpunim me këtë komision. Me sa e pash as kryetarja e legjislacionit nuk i ka dërgu ftesë si anëtare e VV-së”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se pajtohet me vendimin e ministrit Tahiri që në këtë fazë të mos diskutohet për këtë pjesë.

“Unë jam kanë me thirr ministrin. Ministri ka dërguar letër pse nuk duhet në këtë fazë me bisedu, për të cilat plotësisht pajtohem. Sa i përket noterëve kemi marrë vendim që ligjin që e ka sponsorizuar Qeveria, e kemi rrit numrin e noterëve. Nëse ndonjëri ka prova është më mirë me shku në prokurori”, tha ai.

E aty reagoi deputetja Haxhiu.

“Ti ski drejtë me thanë që kam aluduar,  ti nuk ke integritet, ti po më tregon çka kam drejtë unë”, tha ajo.

Deputeti Beqa vazhdoi përplasjen me deputeten.

“Mas pari nuk je ti këtu me tregu a kam çka flas a skam çka flas”, tha ai.

I menjëhershëm ishte reagimi i deputetes Haxhiu.

“Ti je herë telall i presidentit, herë i kryetarit e herë i ministrit të Drejtësisë”.

Deputeti Beqa iu përgjigj:

“Unë e kam integritetin tim,  unë të thash e po të them jam me u zbardh secila shkelje”, tha ai.

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, tha se mosraportimi i ministrit Tahiri tregon për mostransparencën e tij.

“Për mua ikja e ministrit është tentim mos me qenë transparent përndryshe s’ka kurrfarë kuptimi sepse s’ka material të ndishëm për publikun. Nëse është gjithçka në rregull, ministri s’ka çka të fshehë, ai është dashtë me qenë këtu. Shkelja e ligjit për mosraportim sepse ministrat e kanë obligim me raportu”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, pati kritika edhe për mënyrën se si ministri është përgjigjur në shkresën e tij.

“Ajo çka më bëri përshtypje është se ministri  është përgjigjur në mënyrë individuale duke filluar me e nderu kryetaren e komisionit, këtu kemi të bëjmë me çështje të komisionit. Paragrafi i tretë është jashtë kompetencës tuaj po i vlerëson edhe kompetencat, gjuha që është përdorur këtu nuk është dashur me u drejtuar”, tha Gashi.

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, kërkoi publikisht që të ndërrohet kryetarja e këtij komisioni pasi sic tha ajo është e zhgënjyer me sjelljen e saj.

“Jam jashtëzakonisht e zhgënjyer me sjelljet e kryetares së këtij komisioni, duhet me bë kërkesë me ndërru. Ju jeni udhëheqëse e një komisioni, e jo e një partie. Derisa keni paragjykime mos pritni me ju kthy një përgjigje ndryshe. Ju duhet me ditë si me komuniku. Kërkoj zyrtarisht me ndërru kryetaren e këtij komisioni”, Izmaku raporton EO.

Deputetët vendosën që prapë ta ftojnë ministrit e Drejtësisë, Abelard Tahiri, për raportim dhe kjo sipas tyre të bëhet para datës 15 korrik.

Lexo më shumë:

Të ngjashme