Abrashi e Aliu përplasen në komision se kush do të jetë “nyja” e rajonit Kosova apo Serbia

Prishtinë | 06 Tet 2020 | 15:01 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryetari i komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, Liburn Aliu janë përplasur lidhur me rolin Kosovës dhe Serbisë në Ballkan, raporton Ekonomia Online.

Abrashi ka thënë se me projektet e reja infrastrukturore Kosova bëhet nyje e transportimit të mallrave.

“Linja hekurudhore Deti Adriatik-Shqipëri-Kosovë dhe që vazhdon tutje në Evropë Juglindore dhe Qendrore nuk ka problem. Unë mendoj që kjo i sjell të mira vendit dhe e bën Kosovën vend transit për mallra dhe kompanitë tona ia shohin hajrin”.

“Asnjë investitor nuk vjen në Kosovë sepse rruga prej Kosovës deri në Budapest është katastrofë. Me rrugë, me autostradë, Kosova bëhet vend interesant për investime. Kosova po bëhet nyje. Nëse deri tani ka qenë Maqedonia Veriore, Bullgaria ose Serbia, tani po bëhet Kosova”.

Por, sipas kryetarit të këtij komisioni, Liburn Aliu, nyje në këtë projekt do të Serbia.

Aliu i është kundërpërgjigjur Abrashit, duke thënë se Kosova po bëhet vetëm vend transit për mallrat e Serbisë.

“Nyje po bëhet Serbia, ne po bëhemi transit për mallrat e Serbisë”.

Deputeti i PDK-së Bajrush Xhemajli, ka kërkuar sqarime se mjetet e përdorura a janë kredi apo grand.

“Marrëveshja e Uashingtonit ka qenë e jashtëzakonshëm për Serbinë. Serbia e realizoi një ëndërr me dal në deti, e tashmë po del në deti si në hekurudhë e autostradë. A janë grant a kredi sepse këto çështje është mirë me u sqaruar?”, pyeti Xhemajli.

Abrashi tha se për këtë çështje duhet të merren informata nga ministra e Financave.

“Këtë duhet me thirr ministrinë e Financave. Nuk është kredi por për këtë është mirë të thirret ministrja e Financave. Ne me hy me kërkuar fonde për këto projekte është pak problem”.

Deputeti i AAK-së, Arbër Tolaj, kërkoi ta dijë nëse përfitimet nga këto projekte do t’i ketë Kosova apo edhe Serbia, raporton EO.

“Jemi të prirur për të besuar në këto marrëveshje. Besoj se këto projekte i paraprijnë njohjes reciproke. Këtu u përmenden pikat kyçe. Dua ta di më saktë burimin e financave për realizimin e këtyre projekteve”.

“Janë projekte të madha, jemi shtet me buxhet të vogël dhe nuk do të ishte mirë që të futemi sërish në borxhe. Përfitimet e këtyre projekteve a do t’i ketë Kosova apo do të ketë hise edhe Serbia”.

Të ngjashme