Abrashi: Kurti i do tri pozitat kryesore, LDK-ja s’lejon që Kosova të rrëshqasë në autokraci

Prishtinë | 16 Jan 2020 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Sekretari Organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se marrëveshja për koalicion nuk është arritur meqenëse Lëvizja Vetëvendosje kanë hezituar në kërkesën e LDK’së për presidentin. Siç ka thënë Abrashi, Kurti i dëshiron tri pozitat qendrore për partin e tij dhe shton se një gjë e tillë për LDK’në është e papranueshme.  

Teksa ka folur për synimin e VV’së për t’i marrë tri pozitat kyçe, kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidentin, Abrashi ka përmendur edhe rrezikun e rrëshqitjes drejt autokracisë dhe ka shtuar se LDK nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

“Nëse një parti i merr këto tri poste, nuk është mirë për atë demokraci, sepse kompetencat e presidentit në koordinim me kryeministrin janë shumë të mëdha. Prandaj rrëshqasim drejt autokracisë, dhe LDK këtë nuk e len. Duhet me e kontrollu demokracinë në vend, që një parti mos me i marrë krejt këto. Këtë e kemi bërë për shtetin, jo për LDK’në. Nuk e di a ka prirje (autoritare), Nuk po dojm as me e testu e as me e bo prova me vendin tonë”, ka thënë Abrashi në T7.

Ai tutje ka thënë se ajo se çfarë po kërkon LDK’ja është një marrëveshje fer dhe e balancuar që garanton funksionimin e shtetit.

“Ne po e lypim një fer marrëveshje që garanton funksionim të mirë të shtetit. Janë tri pozita qendrore, presidenti, kryeparlamentari, kryeministri. Ne kemi prit me pas një koalicion fer, që garanton balanc pushtetesh. Ajo çka kanë ofru këta deri tash është kryeministri VV’së, kryeparlamentari VV’së edhe presidenti me kalu neper organe të VV’se. Është e padrejtë me kërku marrëveshje fer, e me i marë tri postet kryesore. Për ne kjo është e papranueshme, dhe po insistojmë në ofertën e bërë publike”, ka shtuar tutje deputeti i LDK’së.

Abrashi ka thënë se nuk mund të ketë marrëveshje ku VV’ja merr 3 pozitat kryesore.

“S’mujm me bo marrëveshje ku VV’ja është shef edhe në qeveri edhe në parlament edhe në presidenc. Nuk është mirë për demokracinë në vend. E për me e rujt Kosovën ne kemi kërku me u balancu demokracia e me pas kontroll ndaj njëri tjetrit”, ka potencuar Abrashi.

Përveç këtyre, Abrashi ka thënë se Albin Kurti po frikësohet të marrë pozitën e kryeministrit.

“Mandati është te partia e parë. Edhe këtë rast nuk janë tu e marrë mandatarin tash e 3 javë. Tregon një farë frike ose tregon se sa e fshtirë është me i ndërtu institucionet. Si duket nuk ka vullnet. Është obligim kushtetues i tyre, na po presim. E kam thënë edhe ma herët që ka një lloj frike me e marrë këtë post edhe këtë zyre me e udhëheq vendin, tani po vërtetohen edhe ma shumë. Dje ambasadori Ëalker tha, me siguri ka aluduar për VV’në, që ka frikë prej politikanëve me i marrë detyrat shtetndërtuese”, ka thënë ndër të tjera Arban Abrashi.

Të ngjashme