Abrashi premton se do ta kthejë tregun me shumicë në pronësi të komunës

Prishtinë | 27 Sht 2017 | 12:37 | Nga

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një bashkëbisedimi me tregtarët me shumicë të Prishtinë, ka thënë ky treg do të kthehet në pronësi të komunës, në mënyrë që të hapet rruga për investime dhe modernizimin e tij.

“Tregu me shumicë do të kthehet në pronësi të komunës dhe do të shndërrohet në një zonë moderne ekonomike”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se do të shikojë mundësinë e lidhjes së tregut me autostradën, në mënyrë që të shkurtohet rruga për transportin e mallrave, të ulet kostoja e tyre dhe njëkohësisht të lirohet trafiku nga kamionët që bartin mallra nëpërmes rrugëve të qytetit.

Abrashi ka shprehur pakënaqësinë e tij me kushtet në të cilat punojnë tregtarët e Prishtinës dhe ka prezantuar planin e tij për investime në tregun me shumicë, ku do të përmirësohen kushtet për ruajtjen e mallrave konform standardeve ndërkombëtare, por edhe qasje më të lehtë në rrugët e Prishtinës.

Tregtarët e Prishtinës kanë kërkuar mirëmbajtje më të mirë të tregut, qasje në autostradë dhe ndërtim të insfrastrukturës.

Abrashi ka thënë se problemet e tregut me shumicë do të zgjidhen kur pronësia të kalojë nga Agjencia e Privatizimit tek Komuna e Prishtinës.

Në këtë mënyrë ne do ta shndërrojmë tregun në një zonë ekonomike, konform standardeve ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme