Abrashi pret konfirmimet për debate nga Ahmeti

Prishtinë | 08 Nën 2017 | 21:15 | Nga

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, i ka bërë thirrje kandidatit të Vetëvendosjes dhe AKR-së, Shpend Ahmeti që t’i konfirmojë pesë debatet e drejtpërdrejta që do të zhvillohen gjatë fushatës zgjedhore në pesë televizione, Jeta në Kosovë, KTV, RTK, RTV21, Klan Kosova dhe incizime në televizione të tjera.

Nëpërmes një komunikate shtypi, LDK iu bën thirrje televizioneve lokale që të mos shkelin rregullat e informimit të drejtë dhe objektiv, dhe të shmangin rastet e kurdisjes së informatave të rrejshme dhe propagandës, të cilat Vetëvendosje i ka fah profesional.

“Shpend Ahmeti së bashku me një televizion lokal, pronar i së cilit është një oligark, respektivisht ish shefi i Dardan Sejdiut, të afërt me Vetëvendosjen, kanë sajuar sonte gjoja një debat ndërmjet kandidatëve për kryetar të Prishtinës, me qëllim të dëmtimit të imazhit të Abrashit, duke e ditur fare mirë se Abrashi kishte rezervuar termine në tri televizione tjera”.

“Siç e kanë parë edhe gjithë qytetarët e Prishtinës, Abrashi sonte ka qenë dhe do të jetë në tri emisione, Klan Kosova, në Interaktiv- KTV dhe në Gazeta Express, ku do të shpalosë programin e fitores në Prishtinë”.

“Shpend Ahmeti është kandidati i parë që ka refuzuar debatin me Abrashin në RTK, ndërsa ka disa ditë që Ahmeti nuk po bashkëpunon për caktimin e terminëve për debatet 555, pesë ditë fushatë, pesë debate të drejtpërdrejta, në pesë televizione”.

Sipas lDK-së, lajmet e kurdisura, propaganda, koalicionet e biznesit, po vijnë pas sondazheve që ka marrë Ahmeti, të cilat e renditin shumë prapa Abrashit në garën për Prishtinën.

“Besimi i qytetarëve të Prishtinës nuk blihet me koalicione të biznesit në dëm të interesave të qytetarëve dhe as me propaganda të rrejshme gjoja për ikje nga debatet”.

Sipas kësaj partie, Ahmeti po provon që me propagandë t’i ikë llogaridhënies para qytetarëve të Prishtinë, pasi që nuk ka realizuar asnjë projekt domethënës për katër vjet, asnjë shkollë, asnjë çerdhe, asnjë qendër të mjekësisë familjare, përveç punësimit të 500 militantëve të Vetëvendosje, të cilët ishin edhe organizatorë të shkatërrimit të qytetit.

“Deri të hënën Abrashi po merret me prezantimin e programit të fitores për Prishtinën metropol, ndërsa për pesë ditë do të faktojë në debate demagogjinë e Ahmetit, nëse ai nuk ju ikë debateve, sikur në rastin e RTK-së”, përfundoon reagimi i LDK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme