Abrashi takohet me Myftiun Tërnava, zotohet për mirëmbajtjen e objekteve fetare

Prishtinë | 13 Tet 2017 | 12:58 | Nga

Pas një takimi që ka zhvilluar me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, është zotuar se gjatë qeverisjes së ardhshme do të investojë në mirëmbajtjen e objekteve fetare dhe rregullimin e varrezave.

“Sot patëm një bisedë shumë miqësore me Myftiun Tërrnava dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame. Dëgjuam nevojat dhe kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me të drejtat elementare, që ndërlidhen me funksionimin e tyre, me mirëmbajtjen e objekteve dhe mirëmbajtjen e varrezave. Ne ofruam bashkëpunimin tonë si komunë dhe dera jonë do të jetë e hapur për Bashkësinë Islame por edhe për bashkësitë tjera që të punojmë gjithmonë në funksion të bashkëjetesës dhe mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se “tek e fundit edhe ne jemi të gjithë besimtarë dhe duhet të punojmë për bashkëjetesë dhe kultivimin e vlerave fetare, që ndikon në luftimin e dukurive negative në shoqëri”.

Myftiu Tërrnava ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), sikur në të kaluarën, ashtu edhe sot, ka disa probleme të natyrave të ndryshme me të cilat ballafaqohet.

“Unë sot e falënderoj z. Abrashi për këtë vizitë. Ne shfrytëzuam rastin që të bisedojmë mes vete, pasi që dera e Bashkësisë Islame është e hapur për të gjithë, sepse BIK është mbipartiake. Neve na intereson që kjo fushatë të jetë e qetë dhe si po shihet kjo është një prej fushatave më të qeta dhe më të mira që janë zhvilluar në Kosovë”, ka thënë Myftiu Tërnava.

Ai tha se ju dëshiron fat të gjithë kandidatëve, le të fitoj ai që kam besimin e qytetarëve dhe më pastaj të shtrihet dora me njëri tjetrit dhe të punojmë të gjithë për vendin tonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme