Abrashi zotohet për ndërtimin e një shkolle në Sofali

Prishtinë | 03 Tet 2017 | 18:23 | Nga

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një vizite që i ka bërë lagjes “Sofalia”, ka premtuar ndërtimin e një shkolle dhe kthimin e investimeve në lagje, të cilat kanë munguar gjatë mandatit të fundit të pushteti lokal.

“Vlerësojmë se duhet të bëhen investime të mëdha në ‘Sofali’. Ne veç kemi identifikuar disa prej investimeve fillestare të cilat do të vijnë në vitin e parë të qeverisjes sonë. Do të fillojmë me atë që ndërlidhet me ardhmërinë e fëmijëve tanë dhe ajo ka të bëjë me ndërtimin e një shkolle në parcelat shumë afër lagjes”, ka thënë Abrashi.

Ai potencoi se do të investojnë në trotuare, në përmirësimin e rrjetit të kanalizimit, dhe çështjet tjera të cilat janë shqetësuese për këta banorë, siç është rasti me eliminimin e problemit me qentë endacakë, të cilët po shkaktojnë problem me sigurinë e qytetarëve.

“Ajo çka mund të themi është se nuk do ta harrojmë ‘Sofalinë’ siç është bërë viteve të fundit. Do të investojmë me një plan konkret, i cili është i definuar dhe i buxhetuar në programin tonë”, pohoi Abrashi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme