Agani: Kemi kandidate më të mira se Labinota

Prishtinë | 16 Maj 2017 | 14:58 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka thënë se tashmë kjo parti ka vendosur të hyjë në koalicion parazgjedhor me PDK-në.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Agani ka folur edhe për deputeten Labinotë Demi-Murtezi, e cila dha dorëheqje sot nga strukturat udhëheqëse të PD-së.

Agani tha se vendimi për mos përfshirjen e saj në listën për deputete e ka marrë Këshilli Drejtues, pas analizimit të punës së saj gjatë legjislaturës së kaluar.

“Është vlerësuar puna e secilit deputet dhe është parë që ka kandidate më të mira. Me gjithë vlerësimin për punë e zonjës Demi-Murtezi në kuvendin e Kosovës, por ka kandidate më të mira që në mënyrë më të denjë mund të përfaqësojnë Partinë e Drejtësisë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Agani.

Ai ka treguar që janë përzgjedhur dy femra të tjera të jenë pjesë e pesshës së PD-së dhe tre meshkuj, ndër të kandiduarit për deputet nga PD-ja është edhe vetë kryetari i kësaj partie Ferid Agani.

Ai ka thënë se me 2/3 e votës së këshillit drejtues së Partisë së Drejtësisë janë ata që kanë vendosur për vazhdimin e koalicion me Partinë Demokratike.

“Ishte vendim i këshillit drejtues të partisë së drejtësisë me 2/3 e votave të anëtarëve të këshillit drejtues u vendos që të vazhdohen negociata me Partinë Demokratike të Kosovës, për arritjen e një marrëveshje për një koalicion parazgjedhor siç e dini ne kemi qene në një koalicion parazgjedhor edhe në zgjedhjet e vitit 2014 edhe në zgjedhjet e vitit 2010 në kuadër të koalicionit për Kosovën e re dhe mendoj që ka të bëjë me një vazhdimësi të angazhimit politik dhe ky kontinuitet mendoj që do të sjell cilësi të re”, ka thënë Agani.

I pyetur se a janë bërë premtime dhe se cilën ministri do ta marrë PD në rast se ky koalicion do të dal fitues, Agani ka thënë se premtime nuk janë bërë. Por ka treguar që PD-ja ka bërë gati reformën për shëndetësi dhe për sistem të arsimit.

“Nuk kemi biseduar në aspektin e premtimeve, ne e kemi kërkuar nga partneri i koalicioni që të siguroj rolin një udhëheqës të partisë së Drejtësisë në procesin e reformës së sistemit shëndetësor të vendit, në procesin e themelimit të sigurimeve publike shëndetësore. E dini se unë në mandatin si ministër i Shëndetësisë e kam udhëhequr këtë proces, e kam udhëhequr një proces të reformës legjislative e cila e ka siguruar bazën për një transformim të suksesshëm të sistemit shëndetësor, për fat të keq ku proces reformues u ndërpre në vitin 2014 me një zhvendosje të pakuptimtë të posteve ministrore nga ministria e shëndetësisë në ministrinë e Planifikimit Hapësinor”, ka thënë ai.

Po ashtu Agani tha se nga partneri i koalicionit kanë kërkuar që për Partinë e Drejtësisë të sigurohet një rol me rëndësi në procesin e përpilimit të programit shtetëror i cili do të merret me fuqizimin e komponentës edukative në sistemin arsimor të vendit.

Të ngjashme