Agim Bahtiri e deklaron veturën superluksoze “Maybach”

Prishtinë | 06 Kor 2021 | 13:24 | Nga Ekonomia Online

Javën e kaluar, Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar formularët e regjistrimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik. Në mesin e zyrtarëve që i është publikuar pasuria është edhe Agim Bahtiri, i cili udhëheq me Mitrovicën. Në deklarim, ai e ka përmendur edhe veturën superluksoze “Maybach”.

Në bazë të deklarimit, Bahtiri posedon pasuri milionëshe. Vetëm një tokë që e ka deklaruar, e fut atë në listën e milionerëve.

Tek pasuritë e paluajtshme, Bahtiri ka deklaruar një tokë bujqësore që ka mbi 17 hektarë, në vlerë 6 milionë e 200 mijë euro. Kjo tokë thotë se është e trashëguar nga prindërit dhe se pronësia është e përbashkët.

Ai ka edhe një tokë tjetër bujqësorë në vlerë 60 mijë euro, derisa posedon edhe tri shtëpi që bashkë kushtojnë mbi 1 milion e 300 mijë euro. Të gjitha këto prona, Bahtiri i ka deklaruar në pronësi të përbashkët.Reklamë

Pasuri të luajtshme s’ka, derisa në banka posedon 9 mijë e 500 euro para të gatshme.

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth 18 mijë euro, derisa fëmijët e tij kanë të hyra vjetore në vlerë 336 mijë euro.

Në fund të formularit, Bahtiri e ka përmendur edhe veturën e tipit Maybach, që është raportuar se është e tij, meqenëse është parë shumë herë e parkuar te objekti i komunës.

Ai ka thënë se vetura është e djalit të tij, por se ai është duke e shfrytëzuar.

“Ju njoftoj qe ne fillim te vitit 2021 djali im e ka sjellur nje veture te tipit Maybach dhe eshte ne pronesi te tij por jam duke e shfytezuar une”, ka thënë Bahtiri.


Të ngjashme