Agim Veliu betohet: Do të jem në shërbim te të gjithë qytetarëve

Prishtinë | 20 Dhj 2017 | 11:17 | Nga

Agim Veliu, zyrtarisht është betuar sot si kryetar i Podujevës.

Kryetari Veliu më rastin e betimit ka thënë se ai do të jetë në shërbim të të gjithëve pa dallim partie, fshati a lagjeje, transmeton Indeksonline.

Veliu prej foltores së kuvendit tha se në këto zgjedhje askush nuk ka dalë humbës, porn ë mënyrë demokratike qytetarët llapjanë votuan se kë dojnë të u shërbejë në katër vitet e ardhshme.

Tutje ai theksoi se ai do të bashkëpunoj me opozitën për projektet dhe idetë që janë në funkision të zhvillimit të qytetit, shkruan Indeksonline.

Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të Veliut gjatë betimit:

Të dashur qytetarë,
Të respektuar këshilltarë komunalë,
I nderuar kryesues,
Përfaqësues nga ministria e pushtetit lokal
Përfaqësues të KFOR-it dhe OSBE-së,
I nderuar kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame
Të nderuar përfaqëues të medieve dhe ju pjesëmarrës të tjerë,

Në këtë ditë solemne të betimit, që shënon fundin e një mandati të suksesshëm dhe fillimin e një mandati të ri në shërbim të qytetarëve edhe për katër vitet e ardhshme, ju ftoj që këtë detyrë fisnike, por edhe sfiduese, ta bëjmë mandat për qytetarët, nevojat dhe kërkesat e tyre.
Nuk ka më mirë se të jesh në gjendje për të punuar së bashku me qytetarët llapjanë në ndërtimin e qytetit dhe fshatrave tona, por edhe në ndërtimin e një vizioni të përbashkët se si duam ta shohim të ardhmen tonë.
Zgjedhjet ishin të lodhshme dhe më vjen mirë që morën fund pa asnjë incident, sidomos me një rezultat me diferencë kogja të ndjeshme votash në favorin e programit tim qeverisës, e që nuk u kontestua nga askush.
Pavarësisht se qytetarët llapjanë me votën e tyre ma besuan përgjegjësinë që edhe një mandat qeverisës të jem në krye të Komunës, nuk dua që sot askush në këtë sallë, apo ata qytetarë në shtëpitë e tyre, që në zgjedhje nuk më votuan, të ndjehen humbës.
Përkundrazi, në këtë garë nuk ka fitues dhe humbës, ka vetëm një vendim demokratik se kë duan qytetarët llapjanë t’u shërbejë në katër vitet e ardhshme.
Nga kjo foltore e Kuvendit ju them të gjithëve, se do të jem në shërbimin tuaj, pa dallim partie, fshati a lagjeje.
Llapi vërtetë është i madh, por jo aq i madh sa ta ndajmë në fshatra e lagje, parti e ego personale.
Podujeva ka nevojë për të gjithë neve, dhe këtu në këtë sallë, po e theksoj, se do të punoj për Podujevën si tanësi.
Ju drejtohem në veçanti juve këshilltarëve, të të gjitha partive politike.
Ejani të diskutojmë. Ejani te unë në zyrë, siç do të vij edhe unë tek ju, për t’ua shtrirë dorën e bashkëpunimit, për projektet dhe idetë tuaja, në funksion të zhvillimit të qytetit.
Unë kam programin tim, por jam i sigurt se edhe ju në programet tuaja keni projekte të mira për qytetarët pa dallim.
Prandaj, ju ftoj, duke ju kërkuar njëkohësisht të bëni opozitën e fuqishme, të bashkëpunojmë e jo të grindemi. Të diskutojmë me argumente dhe fakte, në të mirë ose në kundërshtim të një ideje.
Ju siguroj, se ne do t’u shërbejmë më shumë interesave të qytetarëve nëse bashkëpunojmë, sesa nëse mbajmë inate dhe grindemi!
Sivjet ne kemi miratuar buxhetin e Komunës, por jam i sigurt që në rishikimin e parë, të gjithë ju, shefa të grupeve politike dhe kuvendarë, do të propozoni projekte të reja, të bazuara në nevojat dhe kërkesat e arssyeshme të qytetarëve tonë.
Këtu po shoh shumë fytyra të reja, që do të thotë përfaqësues të rinj të qytetarëve, dhe duke qenë kështu, jam i sigurt se do të ketë ide të reja se si mund t’i qasemi zgjidhjes së problemeve që mund të paraqiten.
Ne kemi një buxhet modest, të pamjaftueshëm për t’i zgjidhur të gjitha nevojat e qytetarëve.
Është e vërtetë, buxheti ka ardhur duke u rritur, por janë rritur edhe nevojat e qytetarëve. Qyteti po rritet, fshatrat po zhvillohen. Prandaj, po rriten edhe nevojat e standardit të ri jetësor.
Pra, në mënyrë që ta shpenzojmë mençur e me nikoqirllëk buxhetin tonë të pamjaftueshëm, ne duhet të dalim me projektet më të mira, më të nevojshme për momentin, dhe me një kosto më efektive. Po punuam së bashku, ne do të jemi në gjendje t’i identifikojmë shumë projekte të tilla të cilat do ta përmirësonin jetën e qytetarëve.
Në zgjedhje, vërtetë garuam me siglat tona partiake, por këtu jemi përfaqësues të qytetarëve para së gjithash. Këtu na ka sjellë qytetari. Partia na ka nominuar, por ju, dhe unë, jemi këtu, sepse kështu ka zgjedhur qytetari.
Prandaj, ju ftoj që në këtë tempull të demokracisë, të diskutojmë e të mendojmë për problemet e qytetarëve si përfaqësues legjitim të tyre. Ju siguroj se unë i pari do të bëj kështu.
Tani, në fund, duke ju falënderuar për bashkëpunim e bashkërendim paraprak, ju them se do të vazhdoj të jem në shërbimin e të gjithë qyetatrëve pa dallim!
Zoti e bekoftë punën tonë të mbarë!
Zoti e bekoftë Podujevën dhe qyetartë e saj!
Zoti e bekoftë Kosovën
Ju faleminderit!
Podujevë, më 20 dhjetor 2017
Agim Veliu

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme