Agjenda e Lajçakut, sot takon Hotin e Osmanin, nesër Thaçin dhe Kurtin

Prishtinë | 13 Tet 2020 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak gjatë vizitës dy ditore në Kosovë pritet të takojë të gjithë përfaqësuesit politikë.

Diplomati sllovak sot do të zhvillojë takim me kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Zëdhënësja për media e Zyrës së BE’së në Kosovë, Dinka Zhivalj konfirmoi për Express se sot Lajçak do të takojë Hotin dhe Osmanin.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i BE’së, Miroslav Lajçak sot do të takohet me kryeministrin Avdullah Hoti në ora 16:30, pastaj me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani në ora 17:30”, tha ajo.

Tutje Emisari Lajçak nesër në agjendë ka takime me presidentin Thaçi, kryetarin e VV’së Kurti dhe krerët e partive tjera.

“Nesër Lajçak do të takohet me Presidentin Hashim Thaçi në ora 09:35, kurse pas një ore do ta takojë kreun e VV’së, Albin Kurti përkatësisht në ora 10:40. Pas Kurtit diplomati sllovak pritet ta takojë kryetarin e PDK’së Kadri Veseli në ora 11:40, pastaj kreun e AAK’së, Ramush Haradinaj në ora 13:45. Takimet do t’i vazhdojë në ora 15:40 me Peshkopin e Ipeshkvisë së Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, më pas do ta takojë kryetarin e Nismas, Fatmir Limaj në ora 16:20, ndërkaq në ora 17:00 kryetarin e AKR’së, Behgjet Pacollin. Pas Pacollit Lajcak do e takojë kreun e Listes Serbe, Goran Rakiç në ora 17:40. Ndërkaq në ora 18:20 ai do të takojë përfaqësuesit e minoriteteve joserbe, për të përfunduar agjendën e ditës së mërkurë me një takim me deputetin e PDK’së, Enver Hoxhaj në ora 19:00. Kurse për agjendën e ditës së enjte do të informoheni më vonë”, ka thënë Zhivalj për Gazetën Express.

Miroslav Lajçak pas vizitës dy ditore në Kosovë do të vizitojë edhe Serbinë.

Tema kryesore të cilën pritet ta trajtojë Lajçak gjatë vizitës së tij është Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, e cila edhe ka bllokuar bisedimet mes dy shteteve.

Përderisa pala kosovare ka refuzuar të negociohet për Asociacioni, pala serbe insiston që ai të themelohet.

Gjatë ditës qeveria e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express kanë deklaruar se Asociacioni nuk do të rinegociohet.

“Kosova i mbetet besnike parimit se për temat për të cilat është arritur marrëveshje, e të cilat marrëveshje kanë marrë mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke u shndërruar në obligim ligjor dhe detyrim ndërkombëtar, nuk mund të rinegociohen apo ndërhyhet në to”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit për Express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme