Ahmeti: Duhen masa të thjeshta, e jo kaq të komplikuara për qytetarët

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 23:37 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar ndaj masave të reja kufizuese që janë vendosur gjatë mbrëmjes nga Ministria e Shëndetësisë, për parandalimin e koronavirusit.

Ai tha se ishte hera e parë që kishte parë sistemin e ri të ndalim-qarkullimit në Kosovë.

“Nuk e kam pasë këtë informatë për këto kufizime të reja. Kam pasë informacion se po përgatitet një aplikacion, por jo në këtë formë”.

Ai tha se këto masa janë drastike, dhe shumë të komplikuara për tu kuptuar nga qytetarët. Sipas tij do kalojnë javë të tëra për shpjegimin e këtyre masave.

“Unë si kryetar i komunës do të shkoja me masa të thjeshta që janë të kuptueshme nga të gjithë dhe që nuk kanë shumë komplikime dhe paragrafë që duhet lexuar. Ne tash e dy ditë u morëm se cilat biznese kanë të drejtë të kalojnë në kufi, derisa tash duhet të merremi gjithë javën me shpjegimin e këtyre rekomandimeve”.

Sipas Ahmetit e tëra çfarë duhet t’u themi qytetarëve, është që të qëndrojnë në shtëpi.

“Për momentin jam i brengosur për këtë orar të komplikuar të cilën duhet t’ua shpjegojmë qytetarëve”, tha ndër të tjera Shpend Ahmeti.

Të ngjashme