Ahmeti e Haskuka ankohen se Qeveria ua kufizoi orarin e lëvizjes pa i lajmëruar

Prishtinë | 08 Kor 2020 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Masat e marra të dielën e javës që shkoi për kufizim të lëvizjes në Prishtinë, Prizren, Ferizaj e Vushtrri nuk janë konsultuar me kryetarët e këtyre komunave. Kështu të paktën kanë thënë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe ai i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ky i fundit ka thënë se njoftimin për masat e marra e kanë marrë nga mediat, ndërkohë që Ahmeti ka thënë se do të ishte mirë që për masat e ndërmarra të informoheshin ata fillimisht para se ato të prezantoheshin në një konferencë shtypi.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka mohuar këtë duke thënë se menaxhimi i situatës me COVID-19 është duke u bërë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet relevante në Kosovë. Por se prezantimi i masave për komunat është bërë tek pas marrjes së vendimit, është njoftuar nga vetë Zyra e kryeministrit, transmeton KOHA.

Në një njoftim për media, Kryeministria të hënën ka bërë të ditur se për masat e reja të marra për parandalim të përhapjes së pandemisë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar një mobilizim të komunave për luftimin e pandemisë COVID-19. Ai në një bashkëbisedim elektronik me kryetarët e komunave të Kosovës thuhet se ua ka prezantuar masat e reja të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Një prej këtyre masave ka qenë edhe kërkesa e Qeverisë drejtuar komunave që të riaktivizojnë plotësisht të gjitha shtabet lokale për menaxhim të pandemisë. Menjëherë pasi që Qeveria e Kosovës, të dielën, në një konferencë për media kishte publikuar masat kufizuese, përfshirë edhe vendimin për kufizim të lëvizjes nga ora 21:00 deri në 05:00 në katër komuna, kishte reaguar kryetari i Prishtinës, njërës prej komunave që i është kufizuar lëvizja.

“Kishte me qenë mirë bile komunave me na informua paraprakisht para se me dalë në konferencë për masa që hyjnë në fuqi pas 6 orësh”, kishte shkruar Ahmeti.

E se nuk janë konsultuar për masat ka thënë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

“Nuk kemi pas kurrfarë konsultimi nga ana e Ministrisë, pasi që janë marrë masat edhe kanë dalë, kanë kërkuar nga Asociacioni i Komunave që të kemi një takim edhe unë kam marrë pjesë aty edhe kam thënë që shumë vendime po na vijnë nëpërmjet mediave, dhe jo në formë zyrtare apo me email, lëre konsultimin pro, edhe vendimet i marrim në atë formë, e kjo është problematike”, është shprehur Haskuka.

Të ngjashme