Ahmeti: Keqpërdorimet me listat e veteranëve, mosrespekt ndaj dëshmorëve

Prishtinë | 18 Gus 2018 | 08:32 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, në një prononcim për Ekonomia Online, ka folur rreth keqpërdorimeve me listat e veteranëve dhe për dorëheqjen e ish-prokurorit, Elez Blakaj.

Lidhur me keqpërdorimet e listave të veteranëve, Ahmeti ka thënë se është një çështje për të cilën të gjithë e dinë, por askush nuk flet.

Ai shtoi se numri i veteranëve në këtë listë nuk përkon me numrin e vërtetë të ushtarëve të UÇK-së dhe se këto mashtrime po bëjnë që të humbet respekti i vërtetë ndaj luftëtarëve.

“Mendoj se është gati se një sekret i fshehtë që gjithkush flet, por asnjëherë zyrtarisht, askush nuk e thotë, që të gjithë e dimë që numri i veteranëve nuk përkon me numrin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dikush ka bërë këtu një mashtrim dhe kjo nuk i bën nder as luftëtarëve të vërtetë, por më së shumti është mosrespekt ndaj dëshmorëve. Dikush që nuk ka luftuar nuk duhet ta marrë statutin e veteranit”, tha Ahmeti për Ekonomia Online.

”Unë personalisht në vitin ‘99 kam punuar në regjistrimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qenë gati në çdo pikë ku kanë qenë për të marrë numrat dhe mund t’ju them nga përvoja personale se nuk kemi të bëjmë me 50-60 mijë ushtarë. Pra kur e kemi numrin e vërtetë, luftëtarët e vërtetë edhe do t’i nderojmë më shumë dhe do t’ia kthejmë respektin që e meritojnë dhe pastaj mund të flasim edhe për beneficione dhe status të veçantë, përndryshe në këtë formë i humb respekti edhe luftëtarit të vërtetë e që nuk guxon të ndodhë në shoqërinë tonë”, tha Ahmeti.

Ai tha se shpreson që dorëheqja e ish-prokurorit Blakaj të mos ketë qenë në lidhje me ngritjen e aktakuzës për veteranët, por nëse ka të bëjë me këtë, atëherë, sipas tij, përgjegjësit duhet ta sqarojnë situatën.

“Ne do të kërkojmë përgjegjësi, do ta diskutojmë këtë edhe në Kuvend, por do të kërkojmë përgjegjësi që këto çështje të mos ndodhin. Pra nuk është mirë, jo vetëm për ata që janë të përfshirë, por edhe për krejt Kosovën në qoftë se na mbetet kjo”, tha Ahmeti për Ekonomia Online.

Ahmeti tha se aktakuza e ngritur për veteranët nga ish-prokurori Blakaj duhet të procedohet sa më shpejt dhe të dërgohet në gjykatë.

Sipas tij, do të jetë e vështirë për cilindo që mendon t’i ikë kësaj përgjegjësie.

“Unë e kuptoj që një aktakuzë prej momentit që ia dorëzon prokurorit dhe derisa ta dorëzon prokuroria në gjykatë mund të marrë kohë, por besoj se tashmë të gjithë duhet të jemi në presion që aktakuza e cila është përgatitur të procedohet sa më shpejt”.

“Nuk po paragjykojmë mbi fajësinë apo pafajësinë e secilit prej atyre të cilët janë përmendur në aktakuzë, mirëpo besoj se tashmë me këtë dorëheqje fokusi është vënë në prokurori dhe fokusi do të jetë në këtë rast, vështirë do të jetë për secilin që t’i ikë kësaj përgjegjësie, sepse tashmë e gjithë shoqëria është e indinjuar”, ka thënë Ahmeti.

Të ngjashme