Ahmeti: Opozita po trillon, puna s’matet me numrin e drejtorive

Prishtinë | 21 Pri 2019 | 08:45 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka marrë katër vjet mandat për udhëheqjen e Komunës së Prishtinës. Por i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, po vazhdon të akuzohet e kritikohet nga opozita për mosmarrjen e përgjegjësisë së tij dhe mos përfilljen e kompetencave që ai ka me Komunën e Prishtinës.

Një gjë të tillë e ka mohuar Ahmeti për Ekonomia Online. Ai tha se opozita po mundohet të trillojë, madje sipas tij, komuna që ai e udhëheqë po shkon drejtë realizimit të 100 premtimeve të dhëna nga vetë kryetari Ahmeti.

“Opozitën e kisha sugjeruar me ardh më shpesh në Komunë se nganjëherë në muaj vijnë në mbledhje të kuvendit dhe po mundohen të trillojnë sende. Të gjithë ata që janë me mu e dinë që unë për çdo ditë jam në komunë pasi nuk kam punë tjetër, nuk kam, prandaj këtë vit është një dinamikë më e madhe e punëve. Ne po shkojmë edhe drejtë realizimit të 100 premtimeve. Veç këta 3 muaj prej 120 projekteve që i kem, mbi 60 për qind prej tyre janë veç në proces të prokurimit. Këtë vit pritet një angazhim i shtuar e i sugjeroj dhe derën e ka hapur secili asamblist e kryetarë të këtyre partive opozitare. I pres në komunë dhe për çdo ditë në zyre jam”, ka thënë Ahmeti.

Një tjetër kritikë që iu është bërë komunës së Prishtinës nga vetë opozita, është rritja e Administratës, apo rritja e drejtorive. Këto shqetësime të opozitës, Ahmeti i quan deklarata të kota, pasi sipas tij, puna nuk matet me numrin e drejtorive.

“Lëvizja Vetëvendosje ka qenë me mua në qeveri dhe si nuk ishin drejtoritë shumë kur ishin ata në koalicion e tash kur nuk janë po iu duken shumë. Nëse ka thënë edhe Lidhja Demokratike, t’i shohim komunat e tyre, ke komunë 10 fish më të vogël se Prishtina e që i ka 13 drejtori. Kjo është kot pasi nuk matet puna me numrin e drejtorive sepse në fund ne jemi duke folur për 600 punëtorë administrativ dhe 4000 mijë punëtorë në shëndetësi e arsim. Pra ky është numri i punëtorëve dhe nuk e kemi shtu numrin e punëtorëve, por për organizimin e mirë të punëve. I kemi nda drejtoritë ashtu siç i kanë kompetencat, unë nuk mendoj që kultura dhe sporti në një drejtori, sepse nuk kanë asgjë të përbashkët. E kemi këtë numër të drejtorive dhe nuk e kemi shtuar numrin e punëtorëve edhe pse kemi nevojë, por veç e kemi bërë një organizim më të mirë të drejtorive”, tha Ahmeti për Ekonomia Online.

Kreu i Prishtinës njoftoi se Partia Socialdemokrate, së shpejti do fillojë  tubimet me qytetarët e lagjeve në kryeqytet.

“Në shumicën e kohës jam në komunë, ditë e natë jam në komunë. Sot jemi këtu me komunë, tash i fillojmë edhe tubimet me qytetarë në lagje të ndryshme dhe vazhdimisht do punojmë pasi që unë jam kryetar komune dhe kam mandat deri në 2021. I kam dhënë premtimet dhe do ti realizoj”, shtoi Ahmeti.

Të ngjashme