Ahmeti-Qeverisë: Kërkoni ndihmë për vaksina, nuk është marre

Prishtinë | 30 Gus 2021 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka reaguar Qeverisë për situatën me COVID-19.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka thënë se e vërteta është që nuk ka mjaftueshëm vaksina dhe se kjo duhet të pranohet.

“E sjellim e pshtjellim si te dojme, e vërteta është se nuk kemi mjaftueshëm vaksina dhe kjo duhet të pranohet.  Nuk ka termine sa ka kërkesa. Masat janë të vonuara dhe edhe po të dhjetëfishohet numri i inspektorëve e vërteta është se virusi e ka bërë të vetën dhe tani duhet të merremi me pasojat.  Virusi nuk shpërndahet vetëm pas orës 22:00”, ka shkruar Ahmeti.

Ai tha se tani duhet të kalojmë në planin B me mbyllje më të rreptë dy javore me ndalim qarkullimi, paralel me grante për biznese, pezullim të procedurave të prokurimit për nevoja shëndetësore – teste, vaksina, oksigjen, barna e krevate, staf shëndetësor shtesë me kontrata të përkohshme, hapje graduale me ndalesa me izolim për të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Ahmeti iu drejtua Qeverisë duke i thënë se duhet të kërkojnë ndihmë.

“Tani jemi në fazën kur duhet shpëtuar çka mundemi me shpëtu.  Çfarëdo makiazhi e zbukurimi nuk ec.  Kërkoni ndihmë.  Nuk është marre.  Nuk besoj se ndonjë qeveri tjetër e jona do të performonte shumë më mirë.  Marre është me na vdek njerëzit në ditët kur ekziston vaksina”, ka shkruar Ahmeti.

Tutje, ai bëri një falënderim për stafin shëndetësor, duke thënë se me kushtet që kanë, po e jepin maksimumin.

Të ngjashme