Ahmeti refuzoi Adriatik Kelmendin, shkon te Xhemajl Rexha

Prishtinë | 15 Nën 2017 | 21:01 | Nga

Kandidati i Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte refuzuar dje në momentet e fundit debatin me kundër-kandidatin e tij Arban Abrashi në emisionin “Rubikon” të gazetarit të njohur Adriatik Kelmendi.

Disa medie kishin “spekuluar” dje se ai do të shkonte në emisionin “Interaktiv” te Xhemajl Rexhës, “pasi ai është më i afërt me politikat redaktuese të KTV-së, që përkrahin Vetëvendosjen”.

Vetë Ahmeti ka konfirmuar sot në një postim në Facebook se do të jetë pjesë e emisionit “Interaktiv”.

“Pas debatit në Klan Kosova, të realizuar të hënën e kësaj jave, kryetari Shpend Ahmeti ka shprehur gatishmërinë për një debat të dytë me pretenduesin Arban Abrashi”, ka shkruar Ahmeti.

“Duke pas parasysh interesimin e qytetarëve të Prishtinës për te vlerësuar ofertat zgjedhore për Prishtinën, përkundër një agjende të ngjeshur, shtabi i kryetarit Shpend Ahmeti ka marr vendim që t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së KTV-së për të organizuar debatin e radhës nesër, në emisionin Interaktiv”.

“Informojmë qytetarët se kryetari Shpend Ahmeti është i gatshëm që nesër të paraqitet në këtë emision, me shpresë se kjo mundësi do të shfrytëzohet nga kundërkandidati Arban Abrashi. Prej datës 22 tetor kemi konfirmuar 4 debate, ku kundërkandidati nuk ka ardhur”.

“Jemi në dispozicion të organizatorëve të emisionit, për t’u dakorduar lidhur me detajet e këtij debati”.

Ahmeti ka refuzuar edhe debatin e sontëm në Radiotelevizionin Publik të Kosovës përballë Abrashit të LDK-së, me arsyetimin se e ka agjendën e ngjeshur.

Të ngjashme