Ahmeti si kryetar i PSD-së nuk përjashton bashkëpunimin me VV-në

Prishtinë | 10 Maj 2018 | 12:45 | Nga

Kryetari i Komunës së Prishtinës tashmë edhe kryetar i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti në një konferencë për media ka theksuar se nuk do të ketë riformatim në komunë dhe se është i kënaqur me punën e drejtorëve nga radhët e LVV-së, raporton Ekonomia Online.

“Jam tepër i kënaqur dhe me punën që bëjnë drejtorët Vitia, Nora në kadastër dhe Ylli në kulturë. Sipas meje nuk ka kurrfarë arsye, që kjo të ndërpritet. Në qoftë se ata mendojnë ndryshe, atëherë është zgjedhje e tyre. Por nga ana ime nuk ka ndryshime”, ka thënë ai.

Ahmeti shprehet i hapur për bashkëpunim me ish-kolegët e tij nga Vetëvendosje. Ai tha se në disa pjesë të porgramit nuk janë pajtuar dhe që për këtë arsye ka ndodhur ndarja.

“Unë jam i gatshëm dhe i hapur për bashkëpunim. Nuk është ideja dhe qëllimi tash për këtë arsye ka qenë dhe arsye kryesore pse kam pranuar të jem kryetar i PSD me idenë që  nuk po mendoj që është mirë që fokusi  i dyja grupeve të jetë sulmi ndaj njëra tjetrës. Me të vërtetë mendoj që nuk ka asgjë abnormale që dikush të mos pajtohet me dikë tjetër, të vazhdoj rrugëtimin e tyre. Por duke marrë parasysh që deri dje kemi rrugëtuar bashkë dhe po ashtu jemi forca, të cilat pajtohemi në disa pjesë të programit, ka dhe disa pjesë që nuk pajtohemi dhe për këtë arsye ka ndodhur ndarja”, ka theksuar Ahmeti.

Ndërsa pas zgjedhjes në krye të PSD-së, Ahmeti tha se partia që ai udhëheq do të jetë një prej forcave kryesore politike në vend.

“PSD tashmë është një forcë parlamentare me dymbëdhjetë deputetë dhe dy komuna, përfshirë këtu dhe Prishtinën dhe Kamenicën, që na bënë një prej subjekteve kryesore në vend. Andaj besoj që  do të luajmë rol tepër të rëndësishëm, posaçërisht këtë vit duke marrë parasysh dhe temat të cilat po zhvillohen. Por unë besoj që dhe në të ardhmen PSD-ja do të jetë një prej forcave kryesore në vend”, ka pohuar Ahmeti.

Ndërsa sa i përket takimit të presidentit Hashim Thaçi me kancelaren Merkel ai theksoi se Kosova për të ecur përpara duhet të jetë më serioze në luftën kundër krimit të organziuar dhe korrupsionit.

“Po shihet një iniciativë shtesë si duket ka të bëjë me kushtin e  fundit numër 95 për luftimin e korrupsionit. Por nuk mund t’i mashtrojmë, as t’i qesim hi syve as BE dhe as shteteve si Gjermania . Ata e dinë saktë dhe qartë, çka do të thotë lufta ndaj korrupsionit. Ne do ta shtojmë presionin që kjo të jetë prioritet kryesor, bashkë me zhvillimin ekonomik. Nuk mund të hyjmë në Evropë në një derë të pasme aty, duke u kërcënu e duke u shpresu mos po na lënë se jemi problem si Ballkan. Pra duhet të punojmë vërtetë në reformë”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme