Ahmeti thotë se situata me ShBA-në është serioze, “Kurti duhet të shtrëngohet”

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 20:38 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha për Rubikon të KTV-së se situata me SHBA-në është shumë serioze.

“Mendoj se në Kosovë momentalisht ekzistojnë dy kampe, dy ekstreme, një kamp që e ekzagjeron pak çështjen dhe e kemi kampin tjetër, këshilltarët e Kurtit që thonë nuk ka sanksione, ‘çka na duhet Amerika’, ‘shkofshi dhe mos u kthefshi’ ishte një post i një asamblisti të Komunës së Prishtinës, etj. Këto dy kampe nuk i bëjnë nderë vendit. Inatet tona politike të brendshme tashmë kanë kaluar kufijtë tanë, sepse postimet e djalit të Trumpit nuk bën të neglizhohen, dhe të thuhet se ky është veç një ambasador Grenell apo është vetëm djali i Presidentit”.

“Situata nuk është e thjeshtë dhe nuk është për t’u relaksuar sikur nuk është asgjë. Nuk është mirë ta testojmë gatishmërinë e Amerikës sepse e kanë dëshmuar që e kanë guximin të marrin vendime të papritura dhe nuk do të ishte larg mendsh që mund të marrin një vendim të tillë që është tërheqja e trupave. Marrëdhëniet ndërkombëtare pak janë të bazuara në drejtësi, ato janë të bazuara në interesat e shteteve”, deklaroi Ahmeti.

Sipas Ahmetit, kryeministri Kurti nuk ka dashur të përgjigjet në telefonatat e zyrtarëve amerikanë dhe ka dhënë arsyetime boshe se telefonata ka ardhur shumë vonë. “Ambasada të njofton disa orë përpara se do të pranosh thirrje. Kurti më mirë është të thotë se nuk kam dashur të përgjigjem dhe të shtrëngohet se çfarë presioni duhet të presë, e jo të japë arsyetime boshe”, shtoi ish-anëtari i VV-së, Shpend Ahmeti.

Të ngjashme