AAK-ja: Shkarkimi i Dakës dëshmon kapjen e shtetit

Prishtinë | 14 Qer 2021 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se shkarkimi i Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, nga Presidentja Osmani, është praktikë e paparë institucionale dhe dëshmon për të satën herë kapjen e shtetit.

Sulmi në institucionet e menaxhimit të zgjedhjeve, është tregues i tentimit për vendosjen e autokracisë, fenomen për të cilin Aleanca ka tërhequr vërejtjen shumë kohë më parë.

Arsyetimet e dhëna për shkarkimin e znj. Daka janë të pasakta, sepse para shkarkimit i është kërkuar dorëheqja në këmbim të mirënjohjes. Ky është tregues i qartë i mënyrës së qeverisjes qe po tentohet të instalohet në vendin tonë.

I bëjmë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës që të ndalojë përpjekjet për kapjen e shtetit dhe arrogancën e numrave.

Kosova është Republikë Parlamentare me demokraci të konsoliduar dhe si e tillë funksionon dhe është pranuar nga shumë shtete. Këto praktika jodemokratike duhet të marrin fund.

Të ngjashme